Miftaraj: Reagimet publike mund të kenë ndikuar që dënimet ndaj Thaçit të mos jenë më të larta

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka komentuar dënimet e shqiptuara ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për çështjen e pengimit të drejtësisë. I ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, Miftaraj ka vlerësuar se reagimet publike dhe politike, përfshirë nismën ligjore që pritet të shqyrtohet në Kuvend lidhur me Gjykatën Speciale,…

Lajme

18/11/2026 19:07

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka komentuar dënimet e shqiptuara ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për çështjen e pengimit të drejtësisë.

I ftuar në emisionin “DPT te Fidani”, Miftaraj ka vlerësuar se reagimet publike dhe politike, përfshirë nismën ligjore që pritet të shqyrtohet në Kuvend lidhur me Gjykatën Speciale, mund të kenë ndikuar në qëndrimin e kësaj gjykate.

Sipas tij, në mungesë të këtyre reagimeve, dënimet mund të kishin qenë edhe më të larta.

“Po të mos ishte reagimi publik i djeshëm, do të kishim pasur dënime drakonike për vendimin ndaj Thaçit. Kam menduar se ka prova, por ne i pamë në vendimet e djeshme. Këto reagime politike e kanë bërë Gjykatën më të ndjeshme dhe mund të ndikojnë edhe në Apel”, ka deklaruar Miftaraj.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e debatit publik në Kosovë për Gjykatën Speciale gjatë gjashtë viteve të fundit.

Miftaraj ka thënë se iniciativa për krijimin e komisionit dhe nisma ligjore kanë rikthyer vëmendjen te kjo çështje, duke bërë që edhe shtetet e Bashkimit Evropian të reagojnë.

“Nëse flasim edhe për Komisionin dhe ligjin, themi se së paku është ngritur një debat publik për Gjykatën. Kemi pasur reagime pothuajse nga të gjitha shtetet evropiane, të cilat tashmë po flasin për Gjykatën Speciale. Për gjashtë vjet nuk kanë folur”, ka thënë ai. /Lajmi.net/