Haxhiu takohet në Bruksel me eurodeputetin kroat, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim në Bruksel me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të vendit. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e miqësisë ndërmjet dy shteteve, duke kujtuar…

Lajme

18/11/2026 19:17

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim në Bruksel me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe për procesin e integrimit evropian të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e miqësisë ndërmjet dy shteteve, duke kujtuar mbështetjen e shqiptarëve për Kroacinë gjatë luftës dhe faktin se Kroacia ishte ndër vendet e para të rajonit që njohu pavarësinë e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Ajo ka falënderuar eurodeputetin Stier për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, fillimisht gjatë kohës kur ai shërbente si ministër i Jashtëm i Kroacisë dhe tani në cilësinë e bashkëkryesuesit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.

Haxhiu ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës tashmë ka formuar delegacionin e tij në këtë komision, duke shprehur gatishmërinë që takimi i radhës të mbahet sa më parë.

Gjatë bisedës, kryetarja e Kuvendit ka theksuar përkushtimin e Kosovës për përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit evropian, ndërsa ka kërkuar edhe mbështetjen e Kroacisë për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

“Në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi ynë për anëtarësim në BE. Theksova se jemi të përkushtuar t’i përmbushim detyrimet që vijnë me këtë rrugë dhe se përvoja e Kroacisë na vlen shumë. Kërkova edhe mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Me miq si Kroacia, rruga jonë evropiane bëhet më e lehtë”, ka shkruar Haxhiu.

Takimi në Bruksel vjen në kuadër të angazhimeve për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe partnerëve evropianë./lajmi.net/