Muhaxheri dëshmon në Komisionin Hetimor për rastin Arlinda Zekaj, flet për kërkesat e QPS-së për siguri

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nisur dëshminë para Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Gjatë intervistimit, kryesuesi i Komisionit, Burim Ramadani, e ka pyetur Muhaxherin lidhur me funksionimin e Drejtorisë për Punë Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë. Muhaxheri ka folur për mungesën e veprimeve…

Lajme

18/11/2026 17:35

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nisur dëshminë para Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gjatë intervistimit, kryesuesi i Komisionit, Burim Ramadani, e ka pyetur Muhaxherin lidhur me funksionimin e Drejtorisë për Punë Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë.

Muhaxheri ka folur për mungesën e veprimeve nga institucionet qendrore sa i përket emërimeve në QPS, duke thënë se Komuna ishte detyruar të ndërmerrte hapa për këtë çështje.

Më pas, pyetjet ndaj tij i ka vazhduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, i cili është interesuar për funksionimin e QPS-së dhe për përzgjedhjen e drejtoreshës së kësaj qendre.

Kreu i Pejës ka deklaruar se drejtoresha aktuale është ushtruese e detyrës dhe se në këtë pozitë ka ardhur pas pensionimit të drejtoreshës së mëparshme.

I pyetur nëse ishte në dijeni për një takim të drejtoreshës së QPS-së me Arlinda Zekajn, Muhaxheri nuk e ka përjashtuar mundësinë që një takim i tillë të ketë ndodhur, por ka thënë se nuk i di detajet.

Gjatë dëshmisë, Muhaxheri ka folur edhe për kërkesat e QPS-së drejtuar Komunës për përmirësimin e kushteve të sigurisë.

Ai ka treguar se QPS kishte kërkuar vendosjen e një detektori në hyrje të objektit, nga frika e hyrjes së personave të armatosur, si dhe angazhimin e një personi më të fuqishëm për sigurimin e objektit. /Lajmi.net/