Krasniqi në Kosovë deri në ora 17:00, EULEX po qëndron 100 metra larg nga shtëpia e tij ku u vendosën Policia e Kosovës

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ardhur sot nga Haga në Kosovë për një vizitë familjare, e cila raportohet se lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij. Lajmi.net ka raportuar gjatë ditës për ardhjen e Krasniqit në Prishtinë, ku janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, si dhe…

Lajme

18/11/2026 13:57

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ardhur sot nga Haga në Kosovë për një vizitë familjare, e cila raportohet se lidhet me gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Lajmi.net ka raportuar gjatë ditës për ardhjen e Krasniqit në Prishtinë, ku janë vërejtur forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, si dhe një autoambulancë me targa ndërkombëtare.


Sipas informacioneve të fundit nga terreni, Krasniqi vazhdon të qëndrojë brenda shtëpisë së tij, në shoqërinë e familjarëve, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të pranishëm pranë objektit.

Ndërkohë, pjesëtarët e EULEX-it janë pozicionuar rreth 100 metra më poshtë shtëpisë së tij.

Burime nga terreni bëjnë të ditur se Krasniqi pritet të qëndrojë me familjen deri rreth orës 17:00.

Gjatë ditës, lajmi.net ka publikuar edhe pamje nga momenti kur Jakup Krasniqi takohet dhe përqafohet me familjarët e tij pas ardhjes nga Haga.

Në pamjet e siguruara nga lajmi.net shihet takimi i tij me të afërmit, pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Hagë.

Vizita e sotme raportohet se është mundësuar për arsye humanitare, pasi bashkëshortja e tij, Sevdije Krasniqi, thuhet se po përballet me probleme shëndetësore.

Kjo nuk është hera e parë që Krasniqi kthehet përkohësisht në Kosovë për arsye familjare.

Në tetor të vitit 2024, ai kishte ardhur në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij, Azem Krasniqi. Edhe atëherë, vizita ishte zhvilluar nën masa të sigurisë dhe mbikëqyrjes nga autoritetet përkatëse.

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit, ishte arrestuar më 4 nëntor 2020 dhe ishte transferuar në Hagë.

Ai është përballur me procesin gjyqësor së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Më 16 shtator 2026, Krasniqi u dënua në shkallë të parë me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara, vendim për të cilin mbrojtja ka paralajmëruar apelim./Lajmi.net/