Ndryshime në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, avokati Russell Hopkins i bashkohet ekipit në Hagë
Avokati Russell Hopkins i është bashkuar ekipit mbrojtës të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas informacioneve të bëra publike, avokati kryesor i Veselit, Rodney Dixon, e ka njoftuar Gjykatën më 11 nëntor për përfshirjen e Hopkins në ekipin e tij mbrojtës. Ky zhvillim vjen në…
Lajme
Avokati Russell Hopkins i është bashkuar ekipit mbrojtës të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas informacioneve të bëra publike, avokati kryesor i Veselit, Rodney Dixon, e ka njoftuar Gjykatën më 11 nëntor për përfshirjen e Hopkins në ekipin e tij mbrojtës.
Ky zhvillim vjen në kohën kur mbrojtja e Veselit po përgatitet për fazën e ardhshme të procesit gjyqësor, atë të shqyrtimit në Gjykatën e Apelit.
Një muaj pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë, në të cilin Veseli u dënua me 18 vjet burgim, nga ekipi i tij mbrojtës u larguan avokatet Annie O’Reilly dhe Kerrie Ann Rowan. Pas këtyre largimeve kanë nisur ndryshimet në përbërjen e ekipit që do ta përfaqësojë atë në procedurat e mëtejshme.
Sipas biografisë së publikuar nga “Temple Garden Chambers”, Russell Hopkins është i specializuar në çështjet gjyqësore që lidhen me korporatat, të drejtat e njeriut, të drejtën ndërkombëtare dhe kontestet për juridiksionin.
Ndryshe, më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale në Hagë shpalli aktgjykimin e shkallës së parë, duke dënuar Kadri Veselin me 18 vjet burgim, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. /Lajmi.net/