Maqedonci në takimin e NATO-s për Ukrainën: Kosova ka trajnuar 146 ushtarë ukrainas

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel. Pas takimit, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë konferencë është riafirmuar vazhdimi i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për Ukrainën dhe popullin…

Lajme

17/11/2026 20:20

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel.

Pas takimit, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë konferencë është riafirmuar vazhdimi i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për Ukrainën dhe popullin e saj.

Ai ka theksuar se Kosova po kontribuon konkretisht në këtë përpjekje, duke përmendur trajnimin e 146 pjesëtarëve të forcave ukrainase në shtatë grupe, në bashkëpunim me Komandën Evropiane të SHBA-së (EUCOM).

Sipas Maqedoncit, Kosova ka dërguar edhe dy pako të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ndërsa për më shumë se dy vjet pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kontribuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas në kuadër të operacionit Interflex në Mbretërinë e Bashkuar.

Ministri ka ritheksuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe paqes në Evropë.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, para fillimit të takimit të NATO-s, Maqedonci ka zhvilluar edhe një takim me homologun e tij shqiptar, ministrin Ermal Nufi, në Përfaqësinë e Shqipërisë në NATO.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ndërsa Maqedonci e ka falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në përfundim të postimit të tij, Maqedonci ka theksuar se një NATO më e fortë në Ballkan nënkupton një Evropë më të sigurt. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: