Aleanca rikonfirmon qëndrimin për Specialen: Do të votojmë pro zhbërjes së saj
Kryesia e Aleancës ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe prioritetet e veprimit të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës. Në këtë takim, Aleanca ka rikonfirmuar qëndrimin e saj kundër Gjykatës Speciale, duke theksuar se nuk e ka votuar themelimin e saj dhe se do të votojë…
Lajme
Kryesia e Aleancës ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe prioritetet e veprimit të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë takim, Aleanca ka rikonfirmuar qëndrimin e saj kundër Gjykatës Speciale, duke theksuar se nuk e ka votuar themelimin e saj dhe se do të votojë pro zhbërjes së saj në çdo rast kur të paraqitet një mundësi e tillë.
Përmes një njoftimi, Aleanca ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin në Kuvend, me fokus në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe trajtimin e çështjeve me rëndësi për vendin.
Ndër prioritetet e përmendura janë sektori i energjisë, të cilin Aleanca e konsideron shtyllë të zhvillimit ekonomik dhe sigurisë strategjike, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe fuqizimi i prodhimit vendor.
Po ashtu, kjo parti ka theksuar nevojën për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi dhe arsim, si dhe luftimin e korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit dhe politizimit të administratës publike.
Një pjesë e diskutimeve i është kushtuar edhe Buxhetit për vitin 2027. Kryesia e Aleancës ka kërkuar transparencë dhe sqarime për ndarjen e mjeteve buxhetore, duke shprehur shqetësim për mungesën e investimeve dhe mosrealizimin e projekteve, veçanërisht atyre kapitale.
Ndërkaq, Grupi Parlamentar i Aleancës pritet të kërkojë llogaridhënie në Kuvend për disa çështje që kjo parti i konsideron me interes nacional dhe social.
Në mesin e tyre janë projekti i Hekurudhës Kosovë–Shqipëri, zbatimi i Kontratës Kolektive dhe amendamentet e gjashtëpikëshit. /Lajmi.net/