Një SMS, një klikim dhe llogaria zbrazet: BQK zbulon skemën e mashtrimeve se si po goditen qytetarët përmes kartelave bankare
Mashtrimet financiare përmes mesazheve telefonike, linqeve të rreme dhe platformave online po vazhdojnë të paraqesin shqetësim për qytetarët. Gjatë muajve të fundit, në Kosovë janë zhvilluar disa aksione policore dhe hetimore kundër personave të dyshuar për mashtrime të kësaj natyre. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në një përgjigje për lajmi.net, ka bërë të…
Lajme
Mashtrimet financiare përmes mesazheve telefonike, linqeve të rreme dhe platformave online po vazhdojnë të paraqesin shqetësim për qytetarët. Gjatë muajve të fundit, në Kosovë janë zhvilluar disa aksione policore dhe hetimore kundër personave të dyshuar për mashtrime të kësaj natyre.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në një përgjigje për lajmi.net, ka bërë të ditur se rastet e raportuara pranë këtij institucioni lidhen kryesisht me tentativa për mashtrime financiare përmes kanaleve digjitale, konkretisht me përdorimin e kartelave bankare.
Sipas BQK-së, këto raste duhet të shihen edhe në kontekstin e rritjes së përdorimit të shërbimeve bankare elektronike dhe pagesave në distancë.
“Rastet që janë raportuar në BQK lidhen me përdorimin e kartelave, konkretisht me tentativa të mashtrimeve financiare përmes kanaleve digjitale. Këto tentativa duhet parë krahas përdorimit gjithnjë e më të madh të shërbimeve bankare elektronike dhe të pagesave në distancë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për lajmi.net.
Ky institucion ka shpjeguar se mashtruesit zakonisht përdorin mesazhe që krijojnë urgjencë te qytetarët, duke i nxitur të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të plotësojnë të dhënat e tyre bankare.
“Mesazhet e tilla zakonisht përmbajnë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim, me qëllim që qytetarët të marrin vendime të nxituara”, ka bërë të ditur BQK.
Nga shqyrtimi i ankesave, BQK ka konstatuar se në rastet e paraqitura pranë saj, transaksionet e kontestuara nuk kanë ardhur si pasojë e ndonjë dështimi të sistemeve të bankave, por si rezultat i shpalosjes së të dhënave të kartelave nga vetë poseduesit e tyre.
“Poseduesit kanë pranuar mesazhe përmes SMS-ve ose kanaleve të tjera të komunikimit, të cilat përmbanin linqe mashtruese, dhe në to kanë plotësuar të dhënat e kartelës, duke rënë kështu pre e mashtrimit përmes inxhinierisë sociale”, thuhet në përgjigje.
BQK ka sqaruar se qytetarët, në këto raste, kanë plotësuar të dhënat e kartelave në faqe mashtruese, duke ua mundësuar personave të paautorizuar keqpërdorimin e tyre.
Të pyetur nga lajmi.net nëse kanë pranuar raportime për parregullsi në shërbimet bankare të ngjashme me rastet për të cilat është kërkuar sqarim, nga BQK ka thënë se nuk ka pranuar raportime të tilla.
“BQK-ja nuk ka pranuar raportime për parregullsi në shërbimet bankare, të ngjashme me rastet që përmendni. Nëse na vihen në dispozicion dëshmitë dhe dokumentacioni përkatës për pretendimet e ngritura, BQK-ja mund t’i shqyrtojë ato më tej përmes instrumenteve dhe mekanizmave të saj mbikëqyrës”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
BQK ka theksuar se identiteti i burimit dhe informacionet që mundësojnë identifikimin e tij do të trajtohen në mënyrë konfidenciale.
Ndërkohë, rastet e mashtrimeve financiare kanë qenë edhe në vëmendjen e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, të cilat gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar disa aksione kundër personave të dyshuar për këto veprimtari.
Më 5 nëntor 2026, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndaloi një person me inicialet B.M., nën dyshimin për veprën penale të mashtrimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti dyshohet se kishte ndodhur gjatë vitit 2026, ku i dyshuari, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, kishte vënë në lajthitje persona të dëmtuar, shtetas të Norvegjisë.
Dyshohet se pasi kishte siguruar të dhënat e tyre bankare, i dyshuari i kishte përdorur ato për të realizuar porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht për pajisje elektronike, duke u shkaktuar viktimave dëm material.
Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan shtatë telefona celularë, dy kompjuterë, dy USB, një veturë dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën penale. I dyshuari u ndalua për 48 orë.
Vetëm dy ditë më herët, më 3 nëntor, në Kosovë u zhvillua edhe një aksion ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar për mashtrime përmes platformave të rreme të investimeve dhe qendrave të thirrjeve.
Në këtë operacion, të zhvilluar në pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, u arrestuan tre persona me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë Speciale, personat e përfshirë paraqiteshin si agjentë apo ndërmjetës financiarë dhe mashtronin qytetarë, kryesisht gjermanofolës, duke i bindur që të transferonin para për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.
Fitimet që paraqiteshin në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa paratë e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të bëra.
Operacioni ishte pjesë e një aksioni ndërkombëtar, në të cilin morën pjesë edhe autoritetet gjermane, Europol dhe Eurojust. Në kuadër të tij, kontrolle u zhvilluan edhe në shtete të tjera, ndërsa në Kosovë u sekuestruan vetura, telefona, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike.
Tre të arrestuarit u ndaluan për 48 orë, ndërsa hetimet vazhduan për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar dhe gjurmimin e pasurisë që mund të kishte prejardhje nga veprimtaria e dyshuar kriminale.
Edhe në tetor të këtij viti, autoritetet zhvilluan një tjetër aksion që lidhet me mashtrimet financiare përmes internetit.
Më 23 tetor 2026, nëntë persona u ndaluan nën dyshimin për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik, pasi dyshohej se kishin vepruar në mënyrë të organizuar përmes qendrave të thirrjeve në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin shfrytëzuar disa lokacione në kryeqytet, të përshtatura si qendra të thirrjeve, për të mashtruar persona të dëmtuar, kryesisht shtetas suedezë dhe të huaj.
Dyshohej se ata paraqiteshin rrejshëm si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare dhe, përmes pajisjeve e sistemeve kompjuterike, siguronin qasje në distancë në kompjuterët e viktimave.
Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit për nëntë të dyshuarit, ndërsa rasti po trajtohej për veprat penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik.
Ndërkaq, më 8 qershor 2026, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin njoftuar për një rast të mashtrimit përmes SMS-ve të dërguara në emër të bankave komerciale.
Sipas autoriteteve, vetëm në rajonin e Prishtinës dyshohej se ishin dëmtuar mbi 150 qytetarë, ndërsa dëmi financiar deri në atë fazë vlerësohej në rreth 50 mijë euro.
Të dyshuarit, sipas hetimeve, kishin dërguar mesazhe ku qytetarëve u thuhej se në llogaritë e tyre ishte zbuluar aktivitet i dyshimtë dhe u kërkohej të identifikoheshin për të vazhduar përdorimin e shërbimeve bankare.
Pas klikimit në lidhjet e dërguara dhe plotësimit të të dhënave bankare, qytetarëve u tërhiqeshin para nga llogaritë. Në kuadër të këtij rasti, dy persona ishin ndaluar, ndërsa dy të tjerë ishin identifikuar dhe gjendeshin në arrati në kohën e njoftimit.
Policia e Kosovës, ndërkaq, më 15 shtator kishte paralajmëruar edhe për qarkullimin e mesazheve mashtruese dhe dokumenteve të falsifikuara, të cilat përdornin në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve të Kosovës.
Policia kishte kërkuar nga qytetarët që të mos ndanin të dhënat personale, të mos dërgonin dokumente përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmerrnin veprime duke u bazuar në mesazhe të tilla.
Në këtë situatë, BQK u ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë menjëherë në rast se dyshojnë për transaksione të paautorizuara apo gabime në regjistrimin e pagesave.
“Qytetarët që dyshojnë për transaksione të paautorizuara ose për gabime në regjistrimin e pagesave duhet ta njoftojnë menjëherë bankën dhe të paraqesin ankesë me shkrim”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Institucioni rekomandon që qytetarët, sipas rastit, të kërkojnë bllokimin e kartelës, të paraqesin ankesë me shkrim pranë bankës dhe të ruajnë dëshmitë, përfshirë dëftesat e pagesave, kopjet e transaksioneve dhe komunikimet përkatëse.
“Nëse nuk marrin përgjigje ose nuk janë të kënaqur me zgjidhjen, të drejtohen te BQK-ja, e cila i shqyrton ankesat e konsumatorëve të shërbimeve financiare”, thuhet në rekomandimet e institucionit.
BQK ka rikujtuar se bankat kanë përgjegjësi të ofrojnë shërbime të sigurta, t’i trajtojnë ankesat e klientëve dhe t’i shqyrtojnë rastet e kontestuara në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregulloret në fuqi.
Në fund, BQK ka ftuar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj mesazheve të dyshimta dhe lidhjeve të panjohura.
“Ata nuk duhet t’i ndajnë asnjëherë të dhënat e kartelës, kodet apo fjalëkalimet me persona të tretë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së. /Lajmi.net/