“Veç klithma, asgjë tjetër nuk u bë” Haradinaj thotë se dënimi i sotëm ndaj Thaçit, është vendim i frikshëm për të ardhmen e vendit
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj ka komentuar aktgjykimin e rastit “Thaçi 2” nga Gjykata Speciale, për pengim të drejtësisë. Haradinaj në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ky është një vendim i frikshëm për vendin. “Vendim i frikshëm për të ardhmen e Kosovës dhe të njerëzve që i kemi atje në Hagë. Është i…
Lajme
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj ka komentuar aktgjykimin e rastit “Thaçi 2” nga Gjykata Speciale, për pengim të drejtësisë.
Haradinaj në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ky është një vendim i frikshëm për vendin.
“Vendim i frikshëm për të ardhmen e Kosovës dhe të njerëzve që i kemi atje në Hagë. Është i padrejtë, as që e diskutoj, por përtej të padrejtësisë, është vendim alarmi për Kosovën.”, tha ai.
Tutje, ai nuk u shpreh aspak i kënaqur me punën që po bëhet nga shteti i Kosovës për çështjen e Apelit, për rastin e parë.
“Përpos fjalëve dhe klithmave, asnjë punë tjetër jo. Mendoj se më shumë janë me shumë kurthe se sa dëshirë dhe vullnet politikë për të fituar apelin.”, tha ai.
Çfarë ndodhi në rastin “Thaçi 2”?
Gjykata Speciale në Hagë, më 17 nëntor 2026, e dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi me 17 muaj burgim, pasi e shpalli fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktgjykimit, gjyqtari konstatoi se Thaçi, gjatë kohës sa ishte në paraburgim në Hagë, u kishte zbuluar vizitorëve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe përmes tyre kishte përcjellë udhëzime lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonin në procesin për krime lufte.
Dënimi prej 17 muajsh do të mbahet veçmas nga çdo dënim tjetër që mund t’i shqiptohet Thaçit në rastin për krime lufte.
Në të njëjtin rast, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por dënimet e tyre u konsideruan të vuajtura për shkak të kohës së kaluar në paraburgim dhe të dy u liruan.
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u dënua me një muaj burgim me kusht për një vit, ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm.
Aktgjykimi u shpall nga gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell, në çështjen që lidhej me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik./Lajmi.net/