Grabitjet e armatosura tronditën Gjakovën, Prokuroria ndalon dy të dyshuar – një person ishte plagosur
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se janë identifikuar dhe ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitjet e armatosura që ndodhën më 5 dhe 16 nëntor 2026, në dy argjendari në qytetin e Gjakovës. Në një përgjigje të Prokurorisë për lajmi.net, dy të dyshuarit janë ndaluar me vendim të…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se janë identifikuar dhe ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitjet e armatosura që ndodhën më 5 dhe 16 nëntor 2026, në dy argjendari në qytetin e Gjakovës.
Në një përgjigje të Prokurorisë për lajmi.net, dy të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin publik se janë identifikuar dhe ndaluar për 48 orë dy personat e dyshuar për përfshirje në dy rastet e grabitjeve të armatosura, të ndodhura më 5 dhe 16 nëntor 2026, në dy argjendari në qytetin e Gjakovës”, thuhet në njoftim.
Njëra nga grabitjet kishte ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:50, kur dy persona të maskuar, njëri i armatosur me armë zjarri dhe tjetri me çekan, dyshohet se kishin hyrë në një argjendari.
Nën kërcënimin e armës, ata dyshohet se kishin grabitur stoli ari, ndërsa gjatë ngjarjes njëri prej tyre dyshohet se kishte plagosur në këmbë njërin nga viktimat.
Pas veprimeve hetimore, Prokuroria ka bërë të ditur se janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale që lidhen me dy rastet e grabitjeve.
“Gjatë hetimeve janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastet”, ka njoftuar Prokuroria për lajmi.net
Institucioni ka theksuar se hetimet po vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës, ndërsa ndaj dy të dyshuarve do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit.
“Ndaj dy personave të dyshuar, brenda afatit ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet tutje në njoftim.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera për identitetin e të dyshuarve apo sasinë dhe vlerën e stolive të grabitura./Lajmi.net/