Ismaili pas dënimit të Thaçit: Mentaliteti i Speciales është dënimi me çdo kusht, heshtja nuk mund të jetë përgjigjja jonë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë. Lidhur me këtë ka reaguar Uran Ismaili, i cili ka thënë se ky vendim i Speciales ‘’ngre shqetësime për drejtësinë dhe paanshmërinë e këtij procesi’’. Ismaili ka shtuar edhe se, angazhimi i organizuar…
Lajme
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Lidhur me këtë ka reaguar Uran Ismaili, i cili ka thënë se ky vendim i Speciales ‘’ngre shqetësime për drejtësinë dhe paanshmërinë e këtij procesi’’.
Ismaili ka shtuar edhe se, angazhimi i organizuar i shtetit dhe i shoqërisë sonë është domosdoshmëri urgjente.
Postimi i plotë:
Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ngre shqetësime për drejtësinë dhe paanshmërinë e këtij procesi. Mentaliteti i kësaj gjykate është dënimi me çdo kusht.
Ky proces, tash e një kohë, e ka tejkaluar fatin juridik të individëve.
Është çështje e trajtimit të historisë sonë, ku viktima po vendoset në pozitën e agresorit dhe lufta çlirimtare po gjykohet jashtë kontekstit të shtypjes që e shkaktoi.
Një qasje e tillë mbart tipare të një mentaliteti kolonial, të veshur me autoritetin e drejtësisë ndërkombëtare, që shpërfill faktet historike dhe pasojat e vendimeve të veta. Pasoja që rëndojnë mbi personalitetet më të shquara të vendit, mbi shoqërinë tonë dhe mbi të ardhmen e Kosovës së pavarur.
Angazhimi i organizuar i shtetit dhe i shoqërisë sonë është domosdoshmëri urgjente. Kërkesa për drejtësi të paanshme dhe mbrojtja e së vërtetës historike kërkojnë përgjegjësi, këmbëngulje dhe veprim të përbashkët. Heshtja nuk mund të jetë përgjigjja jonë.
Një popull që ka luftuar për lirinë e vet nuk mund të pranojë që historia e çlirimit t’i rishkruhet si histori faji.