Vdes 43-vjeçarja nga Klina gjatë transportimit drejt Spitalit të Pejës, autoambulanca dyshohet se nuk kishte sinjalizim emergjent – policia asistoi për hapjen e rrugës

Një 43-vjeçare ka ndërruar jetë të premten, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar gjatë kontrollit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, nga ku ishte nisur me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Pejës. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 13 nëntor, rreth orës 13:45. Pacientja ishte dërguar për…

Lajme

14/11/2026 09:36

Një 43-vjeçare ka ndërruar jetë të premten, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar gjatë kontrollit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, nga ku ishte nisur me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Pejës.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 13 nëntor, rreth orës 13:45. Pacientja ishte dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-në e Klinës, por gjatë kontrollit gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe ishte vendosur transportimi me autoambulancë drejt spitalit në Pejë, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, me të arritur në Spitalin Rajonal të Pejës, mjekët kanë konstatuar se gruaja ishte pa shenja jete.

Ndërkohë, sipas raportimit të Gazetës Sinjali, autoambulanca që duhej ta transportonte pacienten nuk kishte sirenë dhe drita emergjente. Për këtë arsye, personeli mjekësor kishte kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, në mënyrë që një patrullë policore ta përcillte automjetin deri në spital.

Policia i ishte përgjigjur kërkesës dhe kishte asistuar gjatë transportimit të pacientes drejt emergjencës së Spitalit të Pejës.

Rrethanat e rastit kanë ngritur pikëpyetje lidhur me funksionalitetin e autoambulancës dhe kohën që mund të jetë dashur për organizimin e transportit urgjent. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna që konfirmojnë nëse ka pasur vonesa apo nëse mungesa e sinjalizimit emergjent ka ndikuar në vdekjen e pacientes.

Për këto rrethana pritet të ketë sqarime nga institucionet përgjegjëse, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet për t’u përcaktuar.

Policia ka bërë të ditur se, në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”./lajmi.net/