Erërat e fuqishme shkaktuan dëme në Rahovec, Komuna hap afatin për kompensim
Komuna e Rahovecit ka njoftuar se ka filluar pranimi i kërkesave për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme në disa prona dhe objekte në territorin e kësaj komune. Sipas njoftimit të komunës, qytetarët e prekur mund të dorëzojnë kërkesat nga 13 deri më 20 nëntor 2026. Aplikimi mund të bëhet çdo ditë…
Lajme
Komuna e Rahovecit ka njoftuar se ka filluar pranimi i kërkesave për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme në disa prona dhe objekte në territorin e kësaj komune.
Sipas njoftimit të komunës, qytetarët e prekur mund të dorëzojnë kërkesat nga 13 deri më 20 nëntor 2026.
Aplikimi mund të bëhet çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00, në sportelet e Komunës së Rahovecit.
Kërkesat duhet t’i drejtohen Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera.
Komuna ka bërë të ditur se aplikuesit duhet të bashkëngjisin edhe dokumentacionin e nevojshëm, përkatësisht:
Kopjen e letërnjoftimit të aplikuesit;
Konfirmimin e llogarisë bankare;
Dëshmitë për dëmet e shkaktuara, përmes fotografive me ngjyra;
Certifikatën e biznesit, për aplikuesit që ushtrojnë veprimtari biznesore;
Konfirmimin e xhirollogarisë bankare të biznesit, për aplikuesit që ushtrojnë veprimtari biznesore.
Nga Komuna e Rahovecit kanë tërhequr vëmendjen se afati për dorëzimin e kërkesave duhet të respektohet, në përputhje me nenin 15, paragrafin 6, të Rregullores (QRK) Nr. 17/2015.
Pas datës 20 nëntor, kërkesat nuk do të pranohen më për vlerësimin e dëmeve.
Komuna u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur nga erërat e fuqishme që të aplikojnë brenda afatit dhe të sigurojnë dokumentacionin e kërkuar.