Ngrihet aktakuzë ndaj Top Kolshit për vrasjen e tmerrshme në Baicë të Lipjanit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Top Kolshit, i cili akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me rastin e 3 gushtit 2025 në fshatin Baicë të Lipjanit. Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën E.B., i pandehuri dyshohet se e kishte goditur me një mjet të fortë në…

Lajme

13/11/2026 17:48

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Top Kolshit, i cili akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, lidhur me rastin e 3 gushtit 2025 në fshatin Baicë të Lipjanit.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën E.B., i pandehuri dyshohet se e kishte goditur me një mjet të fortë në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas i kishte lidhur një litar rreth qafës. Si pasojë, viktima kishte pësuar asfiksi mekanike dhe kishte humbur jetën, shkruan lajmi.net.

Prokuroria pretendon se pas vrasjes, Top Kolshi e kishte tërhequr trupin e viktimës zvarrë dhe e kishte fshehur në një gropë, të cilën më pas e kishte mbuluar me dhe. Ai dyshohet se kishte fshehur edhe mjetet e përdorura gjatë kryerjes së veprës.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në Baicë, sipas njoftimit, janë gjetur dhe sekuestruar armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, përfshirë armë automatike, pushkë dhe municion, që dyshohet se mbaheshin pa autorizim.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

I pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë./Lajmi.net/