Kosova zhvillon stërvitjen e fundit para përballjes me Izraelin
Kombëtarja e Kosovës në futboll zhvilloi stërvitjen në prag të ndeshjes së nesërme kundër Izraelit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve. Futbollistët e Kosovës janë duke u përgatitur për këtë përballje, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda synon që ekipi të jetë sa më i gatshëm për ndeshjen…
Sport
Kombëtarja e Kosovës në futboll zhvilloi stërvitjen në prag të ndeshjes së nesërme kundër Izraelit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Futbollistët e Kosovës janë duke u përgatitur për këtë përballje, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda synon që ekipi të jetë sa më i gatshëm për ndeshjen e 14 nëntorit.
Në konferencën për media të mbajtur sot, Foda foli për mungesat në repartin defensiv, prurjet e reja në Kombëtare dhe mundësinë që disa prej tyre të debutojnë në këtë ndeshje.
“Është e vërtetë, kemi disa mungesa në mbrojtje, mirëpo këto duhet t’i tejkalojmë, kemi parë që Dellova, Krasniqi janë duke munguar mirëpo tani kemi mjaftueshëm lojtarë dhe të gjithë lojtarëve që i kemi në dispozicion në iu besojmë, e kanë besimin maksimal dhe e mira e kësaj është se mund të kemi ndonjë surprizë dhe mund të ketë ndonjë lojtarë i cili mund të inkuadrohet”, tha Foda.
Foda foli edhe për futbollistët e rinj që i janë bashkuar së fundmi Kombëtares së Kosovës, duke vlerësuar integrimin e tyre në ekip. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që ndonjëri prej tyre të jetë në formacionin startues në ndeshjen e nesërme.
“Tani të gjitha prurjet e reja që i kemi ftuar do të paraqiten për herë të parë për Kombëtaren e Kosovës, çoftë Kamberi, Enisi apo Kurtulusi janë integruar mjaftë mirë në ekip, gjë që e ka vërtetuar pritjen tonë pasi që ne i kemi shikuar në vazhdimësi, edhe në të kaluarën i kemi përcjellë dhe të gjithë lojtarët na kanë dhënë përshtypje shumë të mirë gjatë stërvitjeve dhe mund të ndodh që ndonjëri nga lojtarët të jetë në fushë në formacionin startues”, deklaroi Foda.
Kosova synon të paraqitet me rezultat pozitiv para tifozëve të saj në stadiumin “Fadil Vokrri”.