Kurti takohet me kryeministren daneze: Theksova rëndësinë e avancimit të Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në disa fusha. Sipas…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në disa fusha.
Sipas tij, vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, si dhe atij ekonomik e tregtar, transmeton lajmi.net.
“Folëm për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve tona dhe për forcimin e mëtejmë të tyre, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sikurse edhe për atë ekonomik e tregtar”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes daneze në rrugën e integrimeve euroatlantike.
“Shpreha mirënjohjen për qëndrimin e vazhdueshëm mbështetës të Danimarkës ndaj Kosovës dhe theksova rëndësinë e avancimit të Republikës sonë në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Kurti.
Takimi është zhvilluar në kuadër të angazhimeve të kryeministrit në Samitin e Komunitetit Politik Evropian./lajmi.net/