Skandali në Nvidia, Shtëpia e Bardhë diskuton shkarkimin e Sekretarit të Tregtisë, Howard Lutnick
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë nisur diskutimet lidhur me të ardhmen e Sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, pas kritikave të shumta që kanë pasuar skandalin e fundit të lidhur me kompaninë Nvidia dhe pretendimet për spiunazh në favor të Kinës. Sipas raportimeve të Reuters, një numër gjithnjë e më i madh…
Bota
Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë nisur diskutimet lidhur me të ardhmen e Sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, pas kritikave të shumta që kanë pasuar skandalin e fundit të lidhur me kompaninë Nvidia dhe pretendimet për spiunazh në favor të Kinës.
Sipas raportimeve të Reuters, një numër gjithnjë e më i madh ligjvënësish amerikanë kanë kritikuar Lutnickun për refuzimin e përfshirjes së dhjetëra kompanive kineze në një listë të rëndësishme të zezë tregtare të SHBA-së. Po ashtu, janë ngritur pikëpyetje nëse administrata amerikane ka ushtruar mbikëqyrjen e duhur ndaj eksporteve të çipave të Nvidia-s drejt Kinës, transmeton lajmi.net.
Presioni ndaj sekretarit të Tregtisë ishte shtuar edhe para dorëheqjes së Jensen Huang nga pozita e drejtuesit ekzekutiv të Nvidia-s, pas zbulimit të lidhjes së tij me Alice Huang, e cila dyshohet nga autoritetet amerikane për spiunazh në interes të Pekinit.
Megjithatë, pasojat e këtij skandali kanë intensifikuar kritikat ndaj Lutnickut, të cilin disa ligjvënës e konsiderojnë përgjegjës për mosmarrjen e masave të mjaftueshme për të kufizuar eksportin e çipave të avancuar të inteligjencës artificiale drejt Kinës.
Pavarësisht diskutimeve për të ardhmen e tij në administratë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se presidenti Donald Trump vazhdon ta mbështesë sekretarin e Tregtisë.
“Presidenti Trump ruan besim të plotë tek sekretari dhe aftësia e tij për të ushtruar këtë pozicion”, ka deklaruar zyrtari për kritikat e ngritura ndaj Lutnickut.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse presioni politik dhe zhvillimet e fundit rreth Nvidia-s do të ndikojnë në pozitën e Howard Lutnick në administratën amerikane./lajmi.net/