Policët me uniforma të shqyera, Sveçla ia lë fajin Ligjit të Prokurimit: Ai duhet të ndryshohet, mbështetja jonë financiare nuk ka munguar asnjëherë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë sqarime në Kuvend lidhur me vonesat në furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma, duke thënë se procedurat e prokurimit janë iniciuar katër herë, por janë përcjellë me anulime dhe ankesa. Sveçla ka bërë të ditur se në vitin 2021 ishte hapur një procedurë e prokurimit…

Lajme

12/11/2026 12:07

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë sqarime në Kuvend lidhur me vonesat në furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma, duke thënë se procedurat e prokurimit janë iniciuar katër herë, por janë përcjellë me anulime dhe ankesa.

Sveçla ka bërë të ditur se në vitin 2021 ishte hapur një procedurë e prokurimit në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, e cila ishte anuluar nga vetë Policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk i kishin përmbushur kriteret administrative.

Ndërkaq, sipas tij, një procedurë tjetër ishte iniciuar në vitin 2023, po ashtu në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, por procesi kishte zgjatur rreth tre vjet deri në nënshkrimin e kontratës, për shkak të ankesave të shumta dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Në vitin 2021 një procedurë e hapur në vlerë 11.3 milionë euro, kjo procedurë është anuluar nga vetë Policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk i kanë përmbushur kriteret administrative”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se mbështetja financiare për këtë furnizim nuk ka munguar, duke shtuar se problematike mbetet mënyra se si zhvillohen procedurat e prokurimit publik.

Sipas tij, nevojiten ndryshime në Ligjin e Prokurimit, në mënyrë që një proces tenderues të mos zvarritet për shkak të ankesave të shumta dhe procedurave që përfundojnë edhe në gjykata.

“Për çështjet e prokurimit duhet ndryshuar Ligji i Prokurimit, për shkak se për një proces tenderues të kemi gjashtë ankesa apo procese edhe te OSHP-ja, e këto pastaj të gjitha të përfundojnë në gjykatë”, ka thënë ministri.

Ndaj deklarimeve të Sveçlës ka reaguar deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cila e ka akuzuar ministrin për keqmenaxhim të buxhetit dhe për mosfurnizimin e Policisë me uniforma.

Ajo ka përmendur gjetjet e raportit të Auditorit, duke pretenduar se 15 milionë euro të destinuara për paga janë regjistruar si investime kapitale.

Haxhiu ka thënë se ministria ka pasur mundësi që ta realizojë furnizimin me uniforma, por nuk e ka bërë këtë.

“Ju e shpenzoni buxhetin qysh keni dëshirë, sepse në raportin e Auditorit 15 milionë për paga i ke shkru për investime kapitale. Kontratat një me një ju e keni shprehi, e keni kry, keni mujt veç me furnizu Policinë me uniforma, ajo është krenaria e Kosovës. Këtë keni mujt me bë, nuk e keni bë”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputetja e AAK-së ka vazhduar kritikat, duke e cilësuar menaxhimin financiar të ministrisë si keqqeverisje dhe duke pretenduar se pasaktësitë në raportimin e shpenzimeve nuk kanë ndodhur rastësisht.

“Keqqeverisja jote ka treguar edhe njëherë në këtë raport. 15 milionë të pagave i ke shkru investime kapitale. Nuk janë bërë krejt rastësisht. Mashtrim prej A-së deri në Zh”, ka përfunduar Haxhiu. /Lajmi.net/