Nagavci: VV-ja pajtohet që Ligji për Specialen të futet në rend dite, qëndrimet tona mbeten të njëjta

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qëndrimet e partisë së saj lidhur me Dhomat e Specializuara kanë mbetur të pandryshuara tash e një dekadë. Duke folur lidhur me procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Nagavci ka thënë se VV-ja i ka bërë…

Lajme

12/11/2026 11:30

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se qëndrimet e partisë së saj lidhur me Dhomat e Specializuara kanë mbetur të pandryshuara tash e një dekadë.

Duke folur lidhur me procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Nagavci ka thënë se VV-ja i ka bërë të qarta qëndrimet e saj për këtë çështje, përfshirë edhe qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe të Grupit Parlamentar.

Ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur vërejtje lidhur me mënyrën se si është iniciuar dhe adresuar projektligji, duke vlerësuar se kjo nuk është mënyra e duhur për të trajtuar një çështje të tillë.

Megjithatë, Nagavci ka bërë të ditur se, duke qenë se PDK-ja ka qëndruar prapa këtij projektligji, VV-ja i ka dhënë mbështetjen e saj për procedimin e mëtejmë.

“Qëndrimet e VV-së për Dhomat e Specializuara janë të njëjta tashmë e një dekadë, edhe në raport me projektligjin konkret qëndrimet i ka bërë të ditura edhe kryeministri Kurti, por edhe ne si grup parlamentar.

Kemi biseduar se mënyra se si ky projektligj është adresuar nuk është mënyra e duhur për të marrë, por duke qenë se PDK-ja ka besuar në këtë projektligj, ne e kemi dhënë mbështetjen tonë”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo ka konfirmuar se VV-ja pajtohet që projektligji të vendoset në rendin e ditës së Kuvendit, duke lënë të hapur diskutimin e mëtejmë për qëndrimin ndaj tij.

“Ne jemi dakord që të vendoset në rend të ditës, e pastaj flasim përsëri”, ka thënë Nagavci. /Lajmi.net/