Sveçla për 12.6 milionë eurot e tërhequra nga buxheti për pagat e 13-ta të policëve: Pasojë e keqqeverisjes së kaluar

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur çështjen e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke e pyetur ministrin Xhelal Sveçla se pse nga 50 milionë euro të planifikuara janë shpenzuar vetëm 39 milionë euro. Ramadani ka kërkuar sqarime se pse kanë mbetur të pashpenzuara 11 milionë euro, në…

Lajme

12/11/2026 11:50

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur çështjen e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke e pyetur ministrin Xhelal Sveçla se pse nga 50 milionë euro të planifikuara janë shpenzuar vetëm 39 milionë euro.

Ramadani ka kërkuar sqarime se pse kanë mbetur të pashpenzuara 11 milionë euro, në kohën kur, sipas tij, Policia e Kosovës ka nevoja të mëdha për investime kapitale.

“Si është e mundur që nga 50 milionë euro që i kishit për investime kapitale, ju keni shpenzuar vetëm 39 milionë? Pra, pse i humbët 11 milionë euro për investime kapitale, në kohën kur Policia e Kosovës ka nevoja të mëdha për investime kapitale?”, ka pyetur Ramadani.

Në përgjigjen e tij, ministri Sveçla është thirrur në gjetjet e raportit të Auditorit për vitin 2025, duke thënë se njëra nga rekomandimet është zbatuar menjëherë, pasi e gjetura kishte të bënte me një gabim njerëzor dhe mbivlerësim të detyrimeve kontingjente.

Ndërsa, për dy çështjet e tjera të evidentuara nga auditori, Sveçla ka fajësuar vendimet gjyqësore që lidhen me paditë për kontratën kolektive, të cilat, sipas tij, burojnë nga qeverisjet e mëparshme dhe nga udhëzimet administrative të nxjerra pa vlerësim të ndikimit financiar.

Ai ka thënë se paditë kanë të bëjnë kryesisht me pagën e 13-të të zyrtarëve policorë, shpenzim që sipas tij nuk ishte buxhetuar, ndërsa thesari ka ekzekutuar vendimet gjyqësore nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, aty ku ka pasur mjete.

Sipas Sveçlës, në total janë tërhequr 12.6 milionë euro, prej të cilave mbi 10 milionë euro nga kategoria e investimeve kapitale, 2.2 milionë euro nga mallrat dhe shërbimet, 115 mijë euro nga shpenzimet komunale, 185 mijë euro nga subvencionet dhe 29 mijë euro nga pagat dhe mëditjet.

“Këto pagesa natyrisht që e dëmtojnë buxhetin, interferojnë në shumë projekte dhe planifikim. Përkundër kësaj, pasojat e keqqeverisjes së asaj kohe, Ministria e Financave ka mbështetur realizimin e projekteve vitale të sektorit të sigurisë”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka folur edhe për një gjetje tjetër të Auditorit, që lidhet me kompensimin e pagave për 20 zyrtarë të komunitetit serb, të cilët sipas tij nuk kanë vijueshmëri në punë. Ai ka thënë se kjo çështje daton që nga viti 2018 dhe ka vazhduar të përsëritet, ndërsa vlera vjetore e kompensimeve është rreth 120 mijë euro.

Sveçla ka deklaruar se gjatë qeverisjes aktuale është tentuar që këta zyrtarë të sistemohen në sektorë të tjerë, por ata e kanë refuzuar transferimin përmes ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Sipas tij, për shkak se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Digjitalizimit dhe Administratës Publike funksionojnë si ministri të ndara, kjo çështje ka kaluar në përgjegjësi të ministrisë së dytë.

Në replikën e tij, Ramadani ka thënë se përgjigjet e ministrit kanë qenë të pritshme, duke theksuar se pagesat për policët kanë qenë të njohura dhe është dashur të planifikoheshin në buxhet.

“12.6 milionë euro në 2025, policët i kanë marrë përmes gjykatës, iu takon, kanë të drejtë. Këtë keni mujt me e planifiku sepse e dini që kanë të drejtë. Dështimi në planifikim të buxhetit nuk është mënyrë për të gjetur arsye”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se e njëjta vlen edhe për kompensimet e zyrtarëve që nuk paraqiten në punë, duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si janë menaxhuar këto mjete.

Në kundërpërgjigje, Sveçla ka thënë se Qeveria nuk mund t’i parashikojë vendimet që merr gjyqësori, por është e obliguar t’i zbatojë ato.

“Ne se çfarë vendimesh merr Gjykata nuk mund t’i dimë paraprakisht, ato jemi të obliguar t’i zbatojmë, por vendimet e paligjshme të qeverisjes suaj kanë sjellë këtë pasojë. Rrjedhimisht, çfarë duhet të bëjmë është të hetojmë se si ka ardhur puna që ju, pa asnjë vlerësim paraprak financiar, pa bazë ligjore, keni sjellë një vendim të tillë”, ka deklaruar Sveçla.

Debati është ashpërsuar edhe më tej në replikën e radhës të Ramadanit, i cili ka përmendur një rregullore të Qeverisë që, sipas tij, u mundëson stafit politik, këshilltarëve, asistentëve dhe shoferëve kompensim prej 30 për qind të pagës.

Ai ka kritikuar këtë praktikë, duke thënë se është e papranueshme që zyrtarët policorë të detyrohen t’u drejtohen gjykatave për të marrë kompensimet që u takojnë, ndërsa stafi politik përfiton shtesa për angazhimin e tyre.

“Ju e keni nxjerrë një rregullore që i jep paga shtesë edhe stafit politik, këshilltarëve, asistentëve, shoferëve, i marrin 30 për qind të pagës si kompensim që kanë shumë punë. Për atë punë shumë, policët duhet të shkojnë në Gjykatë t’i marrin ato. Kjo është totalisht e papranueshme, më mirë jepjani policëve se këshilltarëve politikë”, ka përfunduar Ramadani. /Lajmi.net/