Presidentja Shiroka Pula priti në takim ambasadoren e Zvicrës, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit bilateral

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën. Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe…

Lajme

10/11/2026 17:11

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën.

Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në rrafshin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për angazhimin shumëvjeçar të Zvicrës në zhvillimin e Kosovës, mbështetjen në procesin e shtetndërtimit dhe përkrahjen në rrugëtimin evropian të vendit.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit i është kushtuar edhe rolit të mërgatës shqiptare në Zvicër, kontributi i së cilës, sipas presidentes, mbetet i jashtëzakonshëm në forcimin e lidhjeve dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Po ashtu, është vlerësuar kontributi i Forcave të Armatosura Zvicerane përmes kontingjentit Swisscoy, i cili është pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it në kuadër të NATO-s që nga viti 1999, duke dhënë mbështetje të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.

Në përfundim, presidentja Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur bindjen se Zvicra do të vazhdojë të jetë një partnere dhe përkrahëse e rëndësishme e Kosovës.