6180 euro për dërgimin e stemës së Kosovës në Uashington dhe dy pikturave në Miami, MPJD-ja vendos një kusht të veçantë për transportin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka ndarë 6,180 euro për transportimin e stemës zyrtare të Republikës së Kosovës drejt Ambasadës në Uashington dhe dërgimin e dy pikturave të artistit Ferri në Miami të SHBA-së, përfshirë edhe kthimin e tyre në Kosovë. Sipas dokumenteve të prokurimit të publikuara nga Kujdestari.info, kontrata i është…

Lajme

10/11/2026 15:52

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka ndarë 6,180 euro për transportimin e stemës zyrtare të Republikës së Kosovës drejt Ambasadës në Uashington dhe dërgimin e dy pikturave të artistit Ferri në Miami të SHBA-së, përfshirë edhe kthimin e tyre në Kosovë.

Sipas dokumenteve të prokurimit të publikuara nga Kujdestari.info, kontrata i është dhënë kompanisë “3 P SH.P.K.” nga Prishtina, më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi është planifikuar për një ditë më vonë.

Tenderi kishte vlerë të parashikuar prej 9,990 eurosh, ndërsa në garë morën pjesë dy kompani. Oferta fituese ishte 6,180 euro, kurse oferta tjetër arrinte në 9,980 euro.

Stema 150 kilogramëshe dërgohet në Ambasadën e Kosovës në Uashington

Një pjesë e kontratës parasheh transportimin e stemës zyrtare të Kosovës nga objekti i MPJD-së në Prishtinë deri në Ambasadën e Kosovës në Uashington.

Sipas specifikimeve teknike, stema është e paketuar në një pako me dimensione 140 × 30 × 140 centimetra dhe peshon 150 kilogramë.

Kompania fituese është përgjegjëse për tërheqjen e saj nga Ministria, procedurat e eksportit, transportin ndërkombëtar, zhdoganimin në SHBA dhe dorëzimin në Ambasadë, në adresën 3612 Massachusetts Avenue NW, Washington.

Dy piktura drejt Miamit, me kthim në dhjetor

Pjesa tjetër e kontratës përfshin transportimin e dy pikturave të artistit Ferri nga Prishtina drejt Miamit, në Florida.

Dërgesa peshon 75 kilogramë dhe ka dimensione 140 × 30 × 140 centimetra.

Pas dorëzimit në SHBA, kompania duhet të organizojë edhe kthimin e dy veprave të artit në Kosovë. Sipas dokumentacionit, transporti i kthimit është paraparë për 7 dhjetor 2026.

Në kontratë janë përfshirë edhe paketimi, procedurat doganore dhe dorëzimi i pikturave në lokacionin e përcaktuar nga Ministria në Prishtinë.

Një kusht i veçantë: Transporti të mos kalojë nëpër Serbi

Një nga kërkesat që bie në sy në dosjen e tenderit është itinerari i transportit.

MPJD-ja ka përcaktuar shprehimisht se transportuesi duhet të shmangë kalimin transit nëpër territorin e Serbisë.

Operatorët ekonomikë janë obliguar të paraqesin itinerarin e propozuar dhe të konfirmojnë me shkrim se dërgesat nuk do të kalojnë nëpër këtë shtet.

Ndërkaq, vlera prej 6,180 eurosh mbulon të gjitha shërbimet e parapara në kontratë, përfshirë transportin, dokumentacionin dhe procedurat doganore.

Afati për realizimin e kontratës është përcaktuar në 60 ditë. /Lajmi.net/