Kurti në Paris ankohet për BE-në: Nuk po i njeh mjaftueshëm sukseset e Kosovës, presim më shumë mirënjohje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Bashkimin Evropian për, siç ka thënë, mungesën e njohjes dhe vlerësimit të mjaftueshëm të rezultateve të Kosovës në rrugën e saj evropiane. Në një intervistë për Radio France Internationale (RFI), gjatë qëndrimit në Paris, Kurti ka kërkuar nga BE-ja që të vlerësojë më shumë përparimin e Kosovës dhe…

Lajme

10/11/2026 14:20

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Bashkimin Evropian për, siç ka thënë, mungesën e njohjes dhe vlerësimit të mjaftueshëm të rezultateve të Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Në një intervistë për Radio France Internationale (RFI), gjatë qëndrimit në Paris, Kurti ka kërkuar nga BE-ja që të vlerësojë më shumë përparimin e Kosovës dhe të përshpejtojë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, transmeton lajmi.net.

“Është e vërtetë që nuk ka mjaftueshëm pranim dhe afirmim nga ana e BE-së të sukseseve dhe rezultateve tona”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se rezultatet e arritura nga Kosova janë në përputhje me vlerat evropiane dhe se vendi meriton trajtim më të avancuar në procesin e integrimit.

“Rezultatet i kemi arritur duke u bazuar pikërisht në vlerat e Bashkimit Evropian. Prandaj, edhe presim më shumë njohje, mirënjohje, dhe të njëjtën kohë BE-ja ta përshpejtojë qasjen e vet të ingtegrimit të Ballkanit Perëndimor, në veçanti të Kosovës. Jo për shkak se ne dëshirojmë të privlegjuar, por se e meritojmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se Kosova pret që përpjekjet dhe reformat e ndërmarra të njihen nga institucionet evropiane.

“Në rrugën tonë ne dëshirojmë që detyrat e shtëpisë që i kryejmë me sukses të pranohen nga BE-ja. Kosova është Evropë”, është shprehur Kurti.

Gjatë intervistës për mediumin francez, Kurti është ndalur edhe te zhvillimet politike dhe konstituimi i institucioneve në Kosovë.

Ai ka deklaruar se pas tri përpjekjeve është arritur konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e presidentes së re, duke vlerësuar se vendi tashmë ka stabilitet institucional.

“Herën e parë, nuk u lejua konstituimi i Kuvendit, herën e dytë nuk u lejua zgjedhja e presidentit, ndërkaq pas herës së tretë e kemi konstituuar edhe Kuvendin edhe e kemi zgjedhur Qeverinë, edhe e kemi zgjedhur presidenten e re”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka thënë se institucionet kanë tashmë një periudhë katërvjeçare përpara dhe se fokusi do të jetë te projektet zhvillimore dhe infrastrukturore.

“Kemi stabilitet të plotë institucional 4 vite përpara, kemi shumë projekte përpara, sikurse ato infrastrukturore për hekurudha dhe për diga”, ka theksuar ai.

Intervista e Kurtit për Radio France Internationale është realizuar gjatë vizitës së tij në Paris, ku kryeministri ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, zhvillimet e brendshme politike dhe projektet që synon t’i realizojë Qeveria në mandatin e ardhshëm./lajmi.net/