Policia apel qytetarëve: Kujdes gjatë shitjeve online, mos ua jepni të dhënat e kartelës suaj
Policia e Kosovës ka bërë apel ndaj qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë shitjeve të produkteve në platforma online. Sipas policisë, kohëve të fundit janë evidentuar raste kur persona të dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, paraqiten si blerës të interesuar dhe u dërgojnë vegëza mashtruese. Në njoftim thuhet se…
Lajme
Policia e Kosovës ka bërë apel ndaj qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë shitjeve të produkteve në platforma online.
Sipas policisë, kohëve të fundit janë evidentuar raste kur persona të dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, paraqiten si blerës të interesuar dhe u dërgojnë vegëza mashtruese.
Në njoftim thuhet se përmes këtyre linqeve kërkojnë të dhënat e kartelave bankare, kinse për realizimin e pagesës.
Për të mos rënë viktimë e këtyre mashtrimeve, Policia ka dhënë disa rekomandime.
“Tregoni kujdes ndaj personave të panjohur që ju kontaktojnë dhe shprehin interesim për blerjen e produkteve tuaja; Mos hapni linqe (vegëza) të dyshimta që ju dërgohen nga blerësit e mundshëm;Mos plotësoni të dhënat e kartelës bankare në faqe apo linqe (vegëza) të dërguara nga persona të panjohur;Mos ndani numrin e kartelës bankare, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar;Verifikoni çdo kërkesë për pagesë vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës ose platformës përkatëse;Nëse keni dhënë të dhënat bankare në ndonjë faqe të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për bllokimin e kartelës dhe rastin raportojeni në Policinë e Kosovës;”, thuhet në njoftim.