KDI kritikon deputetët e VV-së: Po pengohet llogaridhënia e Autoritetit të Konkurrencës

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për mosraportimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion. Përmes një komunikate, KDI ka vlerësuar se kjo situatë po cenon mbikëqyrjen parlamentare ndaj institucioneve publike, duke kritikuar edhe veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas KDI-së, shqetësimi bëhet…

Lajme

10/11/2026 12:23

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për mosraportimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.

Përmes një komunikate, KDI ka vlerësuar se kjo situatë po cenon mbikëqyrjen parlamentare ndaj institucioneve publike, duke kritikuar edhe veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas KDI-së, shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të raportimeve se organi kolegjial i Autoritetit të Konkurrencës nuk funksionon që nga prilli i vitit 2025.

Çështja u ngrit në mbledhjen e Komisionit më 20 tetor 2026, kur raportimi i kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, u vendos në rend dite për 27 tetor.

Megjithatë, më 23 tetor, ajo njoftoi Komisionin se nuk mund të merrte pjesë dhe raportimi u shty.

Komisioni tentoi të mblidhej sërish më 3 nëntor, por mbledhja dështoi për mungesë kuorumi, pasi deputetët e Vetëvendosjes nuk morën pjesë.

Ndërkaq, në mbledhjen e 10 nëntorit, në Komision u paraqitën dy anëtare të Autoritetit të Konkurrencës, por jo edhe kryetarja e këtij institucioni.

Sipas KDI-së, në këtë mbledhje deputetët e VV-së propozuan që pika për raportimin e Autoritetit të Konkurrencës të largohej nga rendi i ditës ose të shtyhej, por propozimi nuk u mbështet nga opozita.

KDI vlerëson se mospjesëmarrja e kryetares së Autoritetit dhe veprimet e deputetëve të VV-së për të pamundësuar raportimin e institucioneve publike po e dëmtojnë seriozisht llogaridhënien.

Instituti u ka bërë thirrje deputetëve që të mos lejojnë që interesat politike të pengojnë mbikëqyrjen parlamentare.

Po ashtu, KDI ka kërkuar që Komisioni për Ekonomi ta rikthejë sa më parë në rend dite raportimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të trajtojë çështjet e ngritura lidhur me funksionimin e këtij institucioni.

Në komunikatë, KDI i është referuar edhe nenit 65, paragrafit 9 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se Kuvendi mbikëqyr punën e Qeverisë dhe institucioneve të tjera publike që i raportojnë Kuvendit.

“Mbikëqyrja parlamentare nuk është çështje e vullnetit politik të shumicës, por përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit”, thekson KDI. /Lajmi.net/