Eksperti i ekonomisë: Shporta familjare në Kosovë u shtrenjtua për 78 euro në muaj
Shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve bazë po vazhdon të rëndojë buxhetet e familjeve në Kosovë, duke ulur ndjeshëm fuqinë e tyre blerëse. Pëllumb Çollaku, doktor i shkencave ekonomike, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se një shportë konsumi që në shtator të vitit 2025 kushtonte 1.000 euro, sot kushton rreth 1.078 euro. “Shporta që…
Lajme
Shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve bazë po vazhdon të rëndojë buxhetet e familjeve në Kosovë, duke ulur ndjeshëm fuqinë e tyre blerëse.
Pëllumb Çollaku, doktor i shkencave ekonomike, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se një shportë konsumi që në shtator të vitit 2025 kushtonte 1.000 euro, sot kushton rreth 1.078 euro.
“Shporta që në shtator 2025 kushtonte 1.000 € sot kushton rreth 1.078 €. Për të njëjtin konsum, familja paguan rreth 78 € më shumë në muaj, ose afro 940 € në vit. Thënë ndryshe, 100 € të kursyera vlejnë sot sa rreth 92,8 € të një viti më parë”, ka deklaruar Çollaku.
Ai ka theksuar se më të prekurat nga rritja e çmimeve janë familjet me të ardhura të ulëta, të cilat pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzojnë për ushqim, energji, ngrohje dhe transport.
“Familjet me të ardhura të ulëta po goditen më shumë sepse ato shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim, energji, ngrohje, dhe transport; ndërsa janë më mirë punëtorët me pagë minimale. Fuqi blerëse kanë humbur pensionistët me indeksim prej 2,7%, familjet me të ardhura të pandryshuara, si të punësuarit me pagë të ngrirë, të punësuarit informalë ose ata që jetojnë me ndihmë sociale”, ka thënë ai.
Çollaku ka ngritur shqetësimin edhe për një fenomen tjetër që po ndikon te konsumatorët, të njohur si “shrinkflation”, që nënkupton zvogëlimin e peshës ose sasisë së produkteve pa ulur çmimin e tyre.
“Përveç humbjes së fuqisë blerëse, konsumatori kosovar po përballet edhe me fenomenin ‘shrinkflation’ apo zvogëlimi i peshës apo sasisë së njësive të një produkti të caktuar pa ulje çmimi që nuk duket se ka marrë vëmendje nga politikëbërësit, por është fenomen në rritje dhe meriton vëmendje”, ka deklaruar Çollaku.
Ndërkohë, sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), inflacioni në Kosovë gjatë vitit 2026 pritet të arrijë në 6.8 për qind, krahasuar me 3.9 për qind sa ishte vlerësimi për vitin 2025.
Kjo paraqet një rritje prej 2.9 pikë përqindjeje brenda një viti dhe e rendit Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor për nga niveli i inflacionit të parashikuar.