“Turp dhe skandal që aplikimi i Kosovës për BE po mbahet në sirtar”, eurodeputeti holandez kritikon bllokimin e procesit
Mosprocedimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka nxitur reagimin e eurodeputetit holandez, Thijs Reuten, i cili e ka cilësuar të pajustifikueshme zvarritjen e këtij procesi. Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Reuten ka kritikuar institucionet evropiane për mungesën e hapave konkretë në shqyrtimin e kërkesës së Kosovës…
Lajme
Mosprocedimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka nxitur reagimin e eurodeputetit holandez, Thijs Reuten, i cili e ka cilësuar të pajustifikueshme zvarritjen e këtij procesi.
Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Reuten ka kritikuar institucionet evropiane për mungesën e hapave konkretë në shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për statusin e vendit kandidat, transmeton lajmi.net.
“Është turp dhe skandal që aplikimi i Kosovës për hyrje në BE ka mbetur në sirtar, pa asnjë arsye”, ka deklaruar ai.
Sipas Reutenit, fakti që disa vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nuk përbën pengesë ligjore për fillimin e procedurave të mëtejshme.
Ai ka theksuar se traktatet e BE-së nuk e ndalojnë nisjen e procesit për dërgimin e pyetësorit, i cili do të shërbente si një hap i rëndësishëm në rrugën integruese të Kosovës.
Eurodeputeti holandez ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e tij për ta shtyrë përpara këtë çështje në institucionet evropiane.
Duke folur për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Reuten ka vlerësuar se zhvillimet politike dhe proceset zgjedhore kanë ndikuar në ritmin e reformave në Kosovë.
“Raporti i Progresit për Kosovën përshkruan një vit të vështirë, gjatë të cilit shumë kohë u shpenzua për formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjet. Prandaj, në raport u theksua se përparimi ishte i kufizuar”, ka thënë ai.
Megjithatë, Reuten ka shprehur pritjen që institucionet e reja të vendit ta zhvendosin fokusin drejt përmbushjes së reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Në veçanti, ai ka përmendur nevojën për përparim në fushën e drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se këto reforma janë në interes të vetë qytetarëve të Kosovës.
“Sa më shumë që Kosova të jetë e gatshme dhe sa më shumë reforma të bëjë, aq më shumë do të jetë në linjë me BE-në dhe aq më mirë do të jetë për qytetarët e saj”, është shprehur Reuten.
Pavarësisht kritikave ndaj mënyrës se si po trajtohet aplikimi i Kosovës, eurodeputeti ka kërkuar që vendi të vazhdojë përmbushjen e obligimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian./lajmi.net/