Jehona Lushaku: Kosova duhet të angazhohet për një gjykim të drejtë në Hagë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht për të garantuar një proces të drejtë gjyqësor në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). E ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Lushaku ka folur për takimin e grupit punues që…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht për të garantuar një proces të drejtë gjyqësor në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
E ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Lushaku ka folur për takimin e grupit punues që po merret me hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me apelimin e aktgjykimit të Gjykatës Speciale, transmeton lajmi.net.
Ajo ka theksuar se përmes kësaj strategjie synohet që shteti i Kosovës të ketë një qasje të koordinuar ndaj procesit gjyqësor në Hagë, duke vënë në fokus respektimin e të drejtave të njeriut dhe garantimin e procedurave të drejta.
“Ky grup synon që shteti i Kosovës të krijojë një strategji shtetërore kundrejt procesit i cili është në Hagë, me qëllim final që të ketë një proces fer, duke mbrojtur të drejtat e njeriut, procedurat dhe gjithë përshkrimin e punës që ka vetë gjykata”, ka deklaruar Lushaku.
Deputetja e LDK-së ka nënvizuar gjithashtu se mbështetja institucionale për garantimin e një gjykimi të drejtë është përgjegjësi e shtetit të Kosovës.
“Si shtet e kemi obligim që të bëjmë gjithçka që të sigurojmë që atje të ketë një gjykim fer, një proces fer dhe që i del ballë këtij gjykimi, duke ofruar të gjitha kushtet dhe procesin sa më të drejtë”, ka thënë ajo./lajmi.net/