Këpucë dhe veshmbathje të markave luksoze në vlerë mbi 72 mijë euro zbulohen në Vërmicë, kamioni tentoi t’i kalonte pa i deklaruar

Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72,600 eurosh gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Vërmicë. Në mesin e mallrave të sekuestruara janë 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, pothuajse të gjitha me marka tregtare të mbrojtura. Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtarët…

Lajme

06/11/2026 09:18

Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 72,600 eurosh gjatë kontrollit të një kamioni në pikën kufitare në Vërmicë. Në mesin e mallrave të sekuestruara janë 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, pothuajse të gjitha me marka tregtare të mbrojtura.

Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje mes peshës së deklaruar në dokumentacion dhe peshës faktike të kamionit, transmeton lajmi.net.

Pas dyshimeve për parregullsi, është realizuar kontroll i detajuar i automjetit dhe ngarkesës, me ç’rast janë zbuluar mijëra produkte që nuk ishin përfshirë në deklaratën doganore.

Sipas Doganës së Kosovës, vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara arrin në rreth 72,600 euro, pa përfshirë detyrimet e importit.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedura administrative është në vazhdim. Për trajtimin e mëtejmë janë njoftuar edhe organet kompetente.

Dogana ka rikujtuar se mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë i mallrave përbën shkelje të legjislacionit doganor dhe mund të sjellë masa ligjore, përfshirë pagesën e detyrimeve të importit.

Institucioni ka theksuar se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim të luftimit të kontrabandës, parandalimit të shmangies së detyrimeve doganore dhe mbrojtjes së konkurrencës së drejtë në treg.

Njoftimi i plotë:
𝐃𝐨𝐠𝐚𝐧𝐚 𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯ë𝐬 𝐳𝐛𝐮𝐥𝐨𝐧 𝐦𝐚𝐥𝐥𝐫𝐚 𝐭ë 𝐩𝐚𝐝𝐞𝐤𝐥𝐚𝐫𝐮𝐚𝐫𝐚 𝐧ë 𝐯𝐥𝐞𝐫ë 𝐫𝐫𝐞𝐭𝐡 𝟕𝟐,𝟔𝟎𝟎 𝐞𝐮𝐫𝐨 𝐧ë 𝐕ë𝐫𝐦𝐢𝐜ë
Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara, me vlerë të përgjithshme prej rreth 72,600 euro, pa përfshirë detyrimet e importit.
Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtari doganor, bazuar në dyshimet e krijuara, ka vendosur të verifikojë përputhshmërinë ndërmjet peshës së paraqitur në deklaratën doganore dhe gjendjes faktike të ngarkesës.
Gjatë verifikimit është konstatuar mospërputhje në peshën e kamionit, i cili rezultonte më i rëndë sesa ishte deklaruar. Për këtë arsye, zyrtarët doganorë kanë vendosur që të realizojnë kontroll të detajuar të automjetit dhe ngarkesës.
Si rezultat i kontrollit, janë zbuluar 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin të përfshira në deklarimin doganor. Pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura.
Vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet në rreth 72,600 euro.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet përkatëse dhe procedura administrative është në vazhdim, ndërsa janë njoftuar edhe organet kompetente për trajtimin e mëtejmë të rastit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujton se, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mallrat që i nënshtrohen një procedure doganore duhet të deklarohen saktë dhe në përputhje me gjendjen faktike. Deklarimi i pasaktë ose mosdeklarimi i mallrave mund të përbëjë shkelje të legjislacionit doganor dhe të sjellë masa ligjore, përfshirë detyrimin për pagesën e detyrimeve të importit dhe masat e tjera të parapara me ligj.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg, përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe zbatimit të legjislacionit doganor./lajmi.net/