Inspektorati godet bizneset online, zbulohen produkte pa kuponë fiskalë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aktivitetet inspektuese ndaj bizneseve që operojnë online, me fokus të veçantë në mbikëqyrjen e produkteve që janë në transport drejt konsumatorëve. Ekipet e IQMT-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), po realizojnë…

Lajme

06/11/2026 09:00

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon aktivitetet inspektuese ndaj bizneseve që operojnë online, me fokus të veçantë në mbikëqyrjen e produkteve që janë në transport drejt konsumatorëve.

Ekipet e IQMT-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), po realizojnë inspektime të shërbimeve postare në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes 10 ekipeve inspektuese, janë realizuar mbi 24 inspektime. Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar raste kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe raste të tjera kur mungonte deklaracioni i prejardhjes së produktit dhe dokumentacioni përcjellës.

Në përputhje me ligjin për IQMT-në, inspektorët u kanë dhënë afat subjekteve përkatëse që të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm, në të kundërtën, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore, përfshirë sekuestrimin e produkteve dhe shqiptimin e masave ndëshkuese.

Ky aksion mbikëqyrës përfshin gjithashtu inspektimin e faqeve online të bizneseve, reklamave të produkteve, si dhe trajtimin e ankesave të paraqitura nga konsumatorët.

Përveç tetë komunave kryesore të vendit, aktivitetet inspektuese janë shtrirë edhe në komunat e tjera të rajonit të Dukagjinit, përkatësisht në Klinë, Istog, Deçan, Junik, Rahovec, Malishevë, Suharekë dhe Dragash.

IQMT mbetet i përkushtuar në forcimin e mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, duke siguruar që çdo produkt që tregtohet në Republikën e Kosovës të jetë në përputhje me kërkesat ligjore.