Gucati për grupin punues për ish-krerët e UÇK-së: Na ka befasuar mungesa e shoqatave të luftës
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, sonte në emisionin “Gazeta” ka folur lidhur me grupin punues për hartimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gucati ka mirëpritur formimin e këtij grupi, duke i uruar punë dhe suksese kryesuesit të tij, Glauk Konjufcës, por ka shprehur rezervat e tij lidhur me përbërjen, pasi…
Lajme
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, sonte në emisionin “Gazeta” ka folur lidhur me grupin punues për hartimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gucati ka mirëpritur formimin e këtij grupi, duke i uruar punë dhe suksese kryesuesit të tij, Glauk Konjufcës, por ka shprehur rezervat e tij lidhur me përbërjen, pasi në të nuk është përfshirë asnjë përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta.
“Ju uroj punë dhe suksese. Do t’ju sugjeroja të mos vonoheni dhe të filloni sa më shpejt me lobimin, sidomos në Evropë dhe në shtetet që na kanë ndihmuar kur e kemi bombarduar Serbinë për ta çliruar vendin”, është shprehur Gucati.
Ai ka theksuar se do të ishte mirë që në këtë grup të ishte ftuar edhe ndonjë përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta.
“Jo për hatërmbetje, por na ka befasuar që asnjë person nga shoqatat e dala nga lufta nuk është pjesë e këtij grupi. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta”, ka deklaruar Gucati.
Ai ka shprehur pritjen që grupi punues të nisë sa më shpejt angazhimet konkrete në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.