Çitaku takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë zhvillimet politike dhe procesin në Hagë

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend. Çitaku e vlerësoi pozitivisht përmbylljen e formimit të institucioneve, duke theksuar se tashmë nevojitet përqendrim në adresimin e sfidave…

Lajme

05/11/2026 17:31

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

Çitaku e vlerësoi pozitivisht përmbylljen e formimit të institucioneve, duke theksuar se tashmë nevojitet përqendrim në adresimin e sfidave të qytetarëve dhe në avancimin e prioriteteve shtetërore.

“Kosova përballet me sfida të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të plotë institucionale, përgjegjësi dhe angazhim për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Çitaku.

Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Çitaku nënvizoi rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të drejtësisë, të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të vendimmarrjes së mbështetur në fakte e prova, të pavarur nga ndikimet politike.

Në takim u riafirmua rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me aleatët e saj, si dhe përkushtimi ndaj perspektivës euroatlantike të vendit, me synim anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian./Lajmi.net/