Haxhiu në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit: Drejtësinë për të do ta kërkojmë deri në fund
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se edhe 10 vjet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, familja, bashkëpunëtorët dhe qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi për këtë rast. Në 10-vjetorin e vdekjes së tij, Haxhiu ka vizituar familjen Dehari dhe më pas, së bashku me familjarët dhe aktivistët…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se edhe 10 vjet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, familja, bashkëpunëtorët dhe qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi për këtë rast.
Në 10-vjetorin e vdekjes së tij, Haxhiu ka vizituar familjen Dehari dhe më pas, së bashku me familjarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i tij.
“Dhjetë vjet më parë, një të shtunë pasdite, morëm lajmin e rëndë se shoku ynë, Astrit Dehari, nuk ishte më në mesin tonë. Sot, në dhjetëvjetorin e asaj dite, vizituam familjen Dehari dhe më pas, bashkë me ta dhe me shokë e shoqe aktivistë, bëmë homazhe dhe vendosëm lule te varri i tij”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Kryetarja e Kuvendit e ka kujtuar Deharin si një aktivist të përkushtuar dhe student shembullor të mjekësisë, i cili, sipas saj, angazhimin politik e kishte parë si mundësi për t’u qëndruar pranë qytetarëve, veçanërisht atyre në nevojë.
“Astriti ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe student shembullor i mjekësisë. Një i ri guximtar dhe idealist, me përkushtim të sinqertë politik, që angazhimin e tij e shihte si mënyrë për t’u qëndruar pranë njerëzve, sidomos të varfërve, punëtorëve dhe atyre që shteti i kishte lënë në harresë. Sot do të ishte mjek dhe jam e bindur se do të ishte po aq pranë tyre sa ishte edhe atëherë”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka thënë se rruga e zgjedhur nga Dehari, të cilën e ka përshkruar si rrugë të drejtësisë dhe dinjitetit, vazhdon të ndiqet edhe sot nga bashkëpunëtorët e tij.
“Rruga që ai zgjodhi, rruga e drejtësisë dhe e dinjitetit për popullin tonë, është rruga që vazhdojmë ta ndjekim edhe sot”, ka shkruar ajo.
Ajo ka ritheksuar se, pavarësisht kalimit të një dekade, ende nuk ka drejtësi për vdekjen e Deharit.
“Dhjetë vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, me gjithë shoqërinë dhe qytetarët e Republikës, ende presim drejtësi për vrasjen e tij në burgun e Prizrenit”, ka deklaruar Haxhiu.
Në fund, kryetarja e Kuvendit ka përcjellë një mesazh përkujtimor, duke u zotuar se kërkesa për drejtësi nuk do të ndalet.
“Ne që e njohëm e kujtojmë ashtu siç ishte, me buzëqeshjen, guximin dhe idealet e tij. Drejtësinë për të do ta kërkojmë deri në fund. Lavdi jetës dhe veprës së Astritit!”, ka përfunduar Haxhiu.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë objekt i kërkesave për zbardhjen e plotë të rastit.