Schuebel ia dorëzon Kurtit Raportin e KE-së: Kosova ka shënuar progres në disa fusha, por korrupsioni mbetet sfidë kryesore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin për Vendin 2026 të Komisionit Evropian. Pas takimit, Schuebel ka mbajtur një konferencë për media, ku ka komentuar gjetjet e raportit dhe progresin e Kosovës në fusha të ndryshme,…

Lajme

04/11/2026 19:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin për Vendin 2026 të Komisionit Evropian.

Pas takimit, Schuebel ka mbajtur një konferencë për media, ku ka komentuar gjetjet e raportit dhe progresin e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, reformat institucionale dhe procesin e integrimit evropian.

Ambasadori ka theksuar se raporti mbulon periudhën nga 7 tetori 2025 deri më 7 tetor 2026, gjatë së cilës, sipas tij, zhvillimet politike dhe institucionale kanë ndikuar edhe në vlerësimet e paraqitura në dokument.

Ai ka vlerësuar se situata aktuale institucionale në Kosovë është ndryshe, duke theksuar se mandati i plotë i qeverisë krijon mundësi për forcimin e institucioneve dhe përshpejtimin e reformave.

“Sot situata është më ndryshe. Kemi një mandat të plotë të qeverisë dhe kjo është diçka që e mirëpresim. Kjo do të ndihmojë në forcimin e stabilitetit të institucioneve të Kosovës. Është një mundësi për të ecur më shpejt përpara dhe kemi parë një dinamikë në zbatimin e agjendës së reformave. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të avancuar këtë proces”, ka deklaruar Schuebel.

Duke folur për gjetjet e raportit, ambasadori ka përmendur progresin në disa fusha, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, statistikat dhe lëvizjen e lirë të kapitalit.

Ai ka veçuar edhe miratimin e legjislacionit për luftimin e shpëlarjes së parave, por ka theksuar se lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një çështje që kërkon më shumë angazhim.

“Raporti tregon progresin e Kosovës në disa fusha, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, reformat në administratën publike, statistikat, lëvizjen e lirë të kapitalit, si dhe miratimin e ligjit për luftën kundër shpëlarjes së parave. Megjithatë, lufta kundër korrupsionit mbetet një çështje që duhet të adresohet dhe për të cilën duhet të punohet më tutje”, ka thënë ai.

Schuebel ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë me zbatimin e reformave dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të avancuar në procesin e integrimit evropian. /Lajmi.net/