Kurti takon gjeneralin amerikan Osborn: U pajtuam për rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn. Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës ndaj Forcës së…

Lajme

04/11/2026 17:02

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn.

Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Përmes një postimi, Kurti e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një partneritet të dyfishtë të Kosovës, me shtetin e Ajovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tërësi.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare të këtij shteti amerikan për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar gjeneralin Osborn për bashkëpunimin dhe përkrahjen në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.

Ndër të tjera, Kurti ka treguar se me gjeneralin amerikan kanë diskutuar edhe për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe situatën e sigurisë në vend e rajon.

“Biseduam për hapat tanë të parë, tejet të rëndësishëm, në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u pajtuam për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka bërë të ditur Kurti.

Postimi i plotë:
Partneritet i dyfishtë i Republikës sonë, me Ajovën si një dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tërësi. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vyer dhe plot dobi të Gardës Kombëtare të këtij shteti amerikan për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të përqendruar në trajnim profesional, edukim e lidership ushtarak dhe planifikim operacional e logjistik.
Sot pasdite, bashkë me Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneralmajor Stephen E. Osborn, të cilin e falënderova për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e vazhdueshme në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Biseduam për hapat tonë të parë, tejet të rëndësishëm, në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, sikurse për situatën e sigurisë në vend e rajon dhe u pajtuan për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor./lajmi.net/