Dyshohet se shiti mbi 110 armë zjarri dhe më pas raportoi rrejshëm se iu vodhën, Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një të dyshuari, i cili dyshohet se ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri dhe më pas ka raportuar në Polici se ato i ishin vjedhur. Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të pandehurit me inicialet V.C. është…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një të dyshuari, i cili dyshohet se ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 armë zjarri dhe më pas ka raportuar në Polici se ato i ishin vjedhur.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të pandehurit me inicialet V.C. është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit i është paraqitur Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Prokuroria dyshon se nga fillimi i tetorit deri më 30 tetor 2026, në një poligon të licencuar të armëve në Gjakovë, i dyshuari ka shitur mbi 110 armë zjarri, të cilat dyshohet se i kishte në depon e poligonit, te dy persona me inicialet D.P. dhe L.U.
Pas kësaj, sipas Prokurorisë, V.C. e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët ishin vjedhur.
Ndërkaq, ndaj dy të dyshuarve të tjerë, D.P. dhe L.U., të cilët aktualisht gjenden në arrati, Prokuroria ka nisur hetimet nën dyshimin për përfshirje në shitjen e paautorizuar të armëve.
V.C. dyshohet për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim është paraqitur në gjykatë, ndërsa procedura penale ndaj të dyshuarve është në zhvillim. /Lajmi.net/