​A u rregullua problemi me ngrohje në shkollat e Prishtinës, flasin nxënës e prindër

Temperaturat e ulëta dhe mungesa e ngrohjes në disa shkolla të kryeqytetit kanë ngritur shqetësimet e prindërve, të cilët thonë se fëmijët po detyrohen të vijojnë mësimin në klasa të ftohta. Megjithatë, pak pasi ekipi i KosovaPress është kthyer në redaksi nga terreni, është lëshuar ngrohja në shkollat ku ishte raportuar problemi. Problemi është paraqitur…

Lajme

04/11/2026 16:28

Temperaturat e ulëta dhe mungesa e ngrohjes në disa shkolla të kryeqytetit kanë ngritur shqetësimet e prindërve, të cilët thonë se fëmijët po detyrohen të vijojnë mësimin në klasa të ftohta. Megjithatë, pak pasi ekipi i KosovaPress është kthyer në redaksi nga terreni, është lëshuar ngrohja në shkollat ku ishte raportuar problemi.

Problemi është paraqitur edhe në shkollat e ciklit të ulët të mesëm “Iliria” dhe “Faik Konica”, ku, për shkak të mosfunksionimit të sistemeve të ngrohjes, prindërve u është kërkuar t’i veshin me më shumë rroba fëmijët. Ndërsa të hënën, në shkollën “Iliria”, mësimi është zhvilluar me orë të shkurtuara. Njëjtë ndodhi edhe paraditen e sotme, ndërkohë që më vonë problemi u rregullua.

Një nxënëse ka treguar për KosovaPress se edhe sot (e martë) në klasën ku e zhvillon mësimin ngrohja nuk funksiononte, ndërsa orët po mbaheshin me orar të shkurtuar.

“Te klasa ime s’kemi, se nxehjet i kemi aty, por s’na bëjnë. Po mundemi, veç po duhet orët me i shkurtu. Dje dhe sot. Jo, dje ia ka nisë. Prindërit janë ankuar… Do, po do jo”, ka deklaruar ajo.

Se problemi kishte filluar një ditë më parë dhe se orët mësimore ishin shkurtuar përgjysmë, e ka konfirmuar edhe një nxënëse tjetër.

“Nxemje ne kemi, po është e prishur, nuk punon. E zhvillojmë, po orët më shkurt… Tash e kemi 30 minuta. Jo, nga dje ka fillu”, ka thënë ajo.

Përveç vështirësive në procesin mësimor, prindërit kanë shprehur shqetësime edhe për shëndetin e fëmijëve, të cilët, sipas tyre, janë ekspozuar ndaj të ftohtit gjatë qëndrimit në shkollë.

Nëna Sherife Bekaj ka thënë se djali i saj është kthyer nga shkolla me duar të ftohta, ndërsa ka shprehur pakënaqësi për faktin se, pavarësisht njoftimeve se problemi do të zgjidhej, situata vazhdonte të mbetej e njëjtë në kohën kur ajo foli për KosovaPress.

“Dje ka dalë djali, ama ka ftohtë, si duart, si me qenë acar. Edhe mbrëmë menjëherë temperatura ma ka kapë, aq që ka qenë ftohtë, edhe shiu, edhe këtu nuk e di. Kemi paraqitje, dje kemi shkruar në grup me mësuesen e me krejt: do të rregullohet, do të rregullohet. Edhe për sot e kam dërgu tash, nuk e di çfarë tash, çfarë po del, ama shumë ftohtë ka qenë. Janë kështu të rregull, por me xhaketa, me gjëra, dhe nuk po munden me mësu puna e xhaketave, ama ftohtë e kanë, ftohtë e kanë. Tash nuk e di, inshallah bën ndonjë ndryshim, sepse unë për vete nuk e dërgoj më në shkollë. Se unë e dërgoj në shkollë njëherë dy, po tani po duhet me vrapu në mjek. Jo, po humbet mësimi… Njani andej, këndej. Ta shikojmë edhe sot, tani çka po bëhet, nuk e di”, ka deklaruar Bekaj.

Ndërsa një prind tjetër, në kushte anonimiteti ka thënë për KosovaPress, se problmei i ngrohjes mbetet pak sfidues. I njëjti ka shtuar se kjo çështje po gjenë diskutim brenda klasëve, meqë edhe prindërit nuk po janë njëzëri për gjetjen e alternativave.

“Mungesa e ngrohjes ka bërë që fëmija im të dalë me duar të ftohta nga klasa. E nuk është problem vetëm ngrohja, kemi probleme edhe të tjera me mungesën e higjienës në shkollë, që shpresojmë të rregullohet sa më shpejt.”

Ndërkohë, lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili ka bërë të ditur se mosfunksionimi i sistemeve të ngrohjes në disa shkolla dhe çerdhe lidhej me bllokimin e mjeteve buxhetore dhe ndërprerjen e punimeve nga operatori ekonomik.

“Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për përfundimin e punimeve dhe funksionalizimin e ngrohjes në shkollat tona, bllokada e qeverisë ndaj Drejtorisë së Arsimit dhe Komunës së Prishtinës po vazhdon”, ka shkruar Elshani në Facebook.

Sipas tij, bllokimi i mjeteve buxhetore nga Ministria e Financave dhe ndërprerja e punimeve nga operatori ekonomik kanë pamundësuar funksionalizimin e sistemeve të ngrohjes në disa institucione arsimore.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të zhbllokojë menjëherë mjetet buxhetore, ndërsa operatorit ekonomik i ka kërkuar përgjegjësi dhe angazhim për përfundimin e punimeve.

“Betejat politike, mosmarrëveshjet financiare dhe procedurat administrative nuk mund të jenë më të rëndësishme se mbarëvajtja e procesit mësimor, shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë”, ka shkruar Elshani.

Për këtë çështje, KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, por deri në momentin e publikimit së këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, nuk ka qenë i qasshëm për të dhënë sqarime shtesë dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve të KosovaPress. Si rrjedhojë, mbetet e paqartë nëse problemi është zgjidhur përfundimisht dhe nëse mësimi do të vazhdojë me orar të rregullt në këto institucione arsimore.