Kuvendi nesër mban seancë plenare, në rend dite tri projektligje dhe raporti i Auditorit për buxhetin e vitit 2025

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, në orën 12:00, seancën plenare, në të cilën janë paraparë disa pika të rendit të ditës, përfshirë shqyrtimin e tri projektligjeve dhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për buxhetin e vitit 2025. Sipas rendit të ditës, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme,…

Lajme

04/11/2026 16:13

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, në orën 12:00, seancën plenare, në të cilën janë paraparë disa pika të rendit të ditës, përfshirë shqyrtimin e tri projektligjeve dhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për buxhetin e vitit 2025.

Sipas rendit të ditës, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, ndërsa më pas deputetët do të kenë mundësi të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe të parashtrojnë pyetje parlamentare.

Në vazhdim, pritet të shqyrtohet propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimi i fushëveprimit të komisioneve parlamentare për Legjislaturën e XI-të.

Një pjesë e rëndësishme e seancës do t’i kushtohet shqyrtimit të parë të tri projektligjeve: Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Në fund të rendit të ditës është paraparë shqyrtimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Seanca plenare pritet të mbahet në Kuvendin e Kosovës, duke filluar nga ora 12:00.