Raporti i Progresit 2026: Progres i kufizuar në lirinë e mediave, BE-ja kërkon rishikimin e Ligjit për RTK-në dhe miratimin e ligjit të ri për KPM-në
Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave gjatë periudhës së përfshirë në Raportin e Progresit 2026. Në raportin e publikuar më 4 nëntor, BE-ja thekson se, ndonëse peizazhi medial në Kosovë vazhdon të jetë pluralist, mediat përballen me sfida të shumta,…
Lajme
Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka shënuar progres të kufizuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave gjatë periudhës së përfshirë në Raportin e Progresit 2026.
Në raportin e publikuar më 4 nëntor, BE-ja thekson se, ndonëse peizazhi medial në Kosovë vazhdon të jetë pluralist, mediat përballen me sfida të shumta, veçanërisht sa i përket transparencës së pronësisë dhe qëndrueshmërisë financiare.
Një prej shqetësimeve të evidentuara lidhet edhe me situatën në zonat e banuara me shumicë serbe, veçanërisht në veri të Kosovës. Sipas Komisionit Evropian, mjedisi në këto zona mbetet kufizues dhe nxit vetëcensurën te publiku, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Raporti vëren gjithashtu se bordet e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) janë plotësuar kryesisht, por katër pozita në bordin e RTK-së vazhdojnë të jenë të paplotësuara. Po ashtu, BE-ja thekson se ligjet e reja për KPM-në dhe RTK-në ende duhet të miratohen.
Komisioni Evropian kërkon që institucionet e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit të rrisin kapacitetet për trajtimin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë.
Në rekomandimet për Kosovën, BE-ja kërkon hartimin e protokolleve dhe organizimin e trajnimeve për sigurinë e gazetarëve, përfshirë mekanizma të paralajmërimit të hershëm dhe reagimit të shpejtë në rastet e kërcënimeve.
Gjithashtu, kërkohet nisja e një dialogu të strukturuar me përfaqësuesit e mediave, përmirësimi i kushteve të punës për gazetarët dhe forcimi i raportimit profesional.
Sa i përket legjislacionit, Komisioni Evropian kërkon miratimin e një Ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe standardet evropiane.
Ndërsa për RTK-në, BE-ja kërkon rishikimin e ligjit përkatës, me qëllim sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe garantimin e pavarësisë së transmetuesit publik.
Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka ende sfida për të adresuar në garantimin e lirisë së mediave, mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e kushteve për funksionimin e pavarur dhe të qëndrueshëm të sektorit medial. /Lajmi.net/