Këngëtarit ia thyejnë xhamin e veturës dhe i vjedhin sendet personale në Kosovë

Këngëtari Toni Ujkaj ka bërë të ditur se para dy netësh ka rënë viktimë e një vjedhjeje në afërsi të Prishtinës, ku persona të panjohur ia kanë thyer xhamin e veturës dhe i kanë vjedhur sende personale. Përmes një postimi në Facebook, Ujkaj ka treguar se incidenti ndodhi rreth orës 19:30, teksa kishte ndaluar për…

Lajme

04/11/2026 12:58

Këngëtari Toni Ujkaj ka bërë të ditur se para dy netësh ka rënë viktimë e një vjedhjeje në afërsi të Prishtinës, ku persona të panjohur ia kanë thyer xhamin e veturës dhe i kanë vjedhur sende personale.

Përmes një postimi në Facebook, Ujkaj ka treguar se incidenti ndodhi rreth orës 19:30, teksa kishte ndaluar për të darkuar në një hapësirë anësore pranë rrugës magjistrale në drejtim të Prishtinës, përballë një pike karburanti.

Ai ka thënë se, kur u kthye te automjeti pas rreth gjysmë ore, e gjeti atë me xhamin e thyer dhe me sende personale të vjedhura.

Ujkaj ka bërë të ditur se e ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila, sipas tij, ka mbërritur në vendin e ngjarjes brenda 15 minutash. Zyrtarët policorë kanë kryer procedurat hetimore, ndërsa ekipi i forenzikës ka ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe ka evidentuar gjurmët e mundshme.

Sipas asaj që i është thënë nga zyrtarët policorë, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”.

Ai ka njoftuar edhe ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Çobaj, i cili, sipas tij, ka shprehur gatishmëri për të shqyrtuar se çfarë mund të bëjë brenda kompetencave të tij.

Megjithatë, këngëtari ka theksuar se qëllimi i publikimit të rastit nuk është vetëm të flasë për dëmet materiale që ka pësuar, por të tërheqë vëmendjen ndaj dukurive të tilla dhe të nxisë reagim publik.

Ai u ka bërë apel mediave në Kosovë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje rasteve të tilla, duke vlerësuar se trajtimi i vazhdueshëm mediatik mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe parandalimin e veprave të ngjashme.

Ujkaj ka treguar se incidenti ua ka prishur edhe përvojën e udhëtimit, pasi, në vend që ta shijonin qëndrimin në Prishtinë, pjesën më të madhe të ditës së nesërme e kaluan në servise dhe te mekanikët, duke u marrë me pasojat e vjedhjes.

Në fund, ai ka shprehur shpresën që Policia e Kosovës ta zbardhë rastin, t’i identifikojë autorët dhe t’i vërë ata para përgjegjësisë ligjore. /Lajmi.net/