Protesta kundër Kurtit, organizatorët: Regjimi i tij nuk e ka gjatë, do t’i mbushim sheshet

Disa qytetarë janë mbledhur gjatë së dielës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij. Organizatori Durim Aliu ka thënë se numri i vogël i protestuesve nuk i dëshpëron, e as nuk i zmbraps nga vendimi për të dalë e për të protestuar. “Ne e…

Lajme

01/11/2026 14:32

Disa qytetarë janë mbledhur gjatë së dielës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij.

Organizatori Durim Aliu ka thënë se numri i vogël i protestuesve nuk i dëshpëron, e as nuk i zmbraps nga vendimi për të dalë e për të protestuar.

“Ne e dimë që shumica nuk guxojnë të dalin këtu për arsye se e rrezikojnë vendin e tyre të punës. Ne e dimë që ky regjim i Albin Kurtit nuk e ka shumë larg me ecë prej këtu. Nuk do të ndalemi me protesta, do ta mbushim sheshim me qytetarë”, ka thënë ai.

Protestuesi Princ Zogaj, në fjalën e tij, ka kërkuar llogaridhënie nga Qeveria, duke thënë se qytetarët po e humbin durimin dhe të rinjtë shpresën për të ardhmen në Kosovë.

“Na flisni për ardhmen e Kosovës, por çfarë të ardhme po na afroni? Diplomë pa perspektivë dhe vite studimi pa garanci për punë. Dhe pastaj po çuditeni pse po ikin të rinjtë! Kur nga viti 2020 deri në vitin 2026 Kosovën e kanë lëshuar mbi 200,000 të rinj e të reja. A e kuptoni çfarë do të thotë kjo? Një vend që i humb gjeneratat e veta nuk mund të mburret me fjalime për zhvillim.”, ka thënë ai.

Ndërkaq, protestuesi Adrian Mustafa ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke e cilësuar atë si më të dobëtën që nga përfundimi i luftës.

“Po e shohim çdo ditë se si jeta në Kosovë po shkon drejt degradimit, dështimit dhe humbjes së shpresës. Ky regjim na ka lënë në terr. Çdo dimër i harxhojmë miliarda euro”, ka thënë ai.

Në protestë mori pjesë edhe analisti Adem Qorrolli i cili tha se premtimet për një Kosovë me standard të lartë jetese nuk janë përmbushur.

“Të na vdesë një i moshuar në banesë dhe ta gjejnë pas katër dite sepse nuk ka mbikëqyrje të shtetit, të na vdesë nëna nga kanceri sepse nuk ka medikamente, të paguhen pagesat e serbëve pa punuar në qeveri, kurse shtesat e ushtarëve të FSK-së, mos të paguhen as ndërrimin e natës, t’i shohim ushtarët duke punuar taksi dhe duke punuar kamarier, t’i shohim policë që punojnë në klubet e natës. Është kjo interes? Dhe shihjau uniformën, nuk janë këta të dy paviona policia, ose dy regjimentet, por janë disa të shlyera që shtatë vite nuk kanë marrë uniformë. Këpucat e tyre nuk janë të njëjta, sepse disa janë blerë në shitoret 5 euro dhe në pazare dhe nuk janë të shtetit, dhe disa nuk mund t’ia dalin fundmujit. Dhe në Kosovë ndodh të punësohen 500 ushtarë dhe përsëri numri i njëjtë i ushtarëve të jetë, sepse 200 na dalin pension dhe 300 e lëjnë ushtrinë, nuk dezertojnë, ata shkojnë për ta mbrojtur identitetin e tyre dhe ta mbrojnë familjen e tyre, ta ushqejnë familjen e tyre”, ka deklaruar Qorrolli.”, ka thënë ai.