Hoti: Qeveria nuk e miratoi buxhetin për vitin 2027 brenda afatit ligjor, po shkel ligjin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për mosmiratimin e projektbuxhetit për vitin 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj. Në një postim në Facebook, Hoti ka rikujtuar se neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin e ardhshëm t’ia dorëzojë Kuvendit jo…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për mosmiratimin e projektbuxhetit për vitin 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Në një postim në Facebook, Hoti ka rikujtuar se neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që projektbuxhetin për vitin e ardhshëm t’ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor.
Ai ka theksuar se, meqë sot është 1 nëntor dhe projektbuxheti ende nuk është miratuar në Qeveri, sipas tij, është shkelur afati ligjor.
Hoti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje se si Kuvendi do ta shqyrtojë projektbuxhetin në procedurat parlamentare, nëse ai dorëzohet pas afatit të përcaktuar.
Sipas tij, një situatë e tillë nuk ka ndodhur më parë, madje as në periudha zgjedhore, kur Qeveria ka qenë në detyrë, pasi projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar brenda afateve ligjore.
Deputeti i LDK-së ka akuzuar më tej Qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për shkelje të vazhdueshme ligjore dhe kushtetuese, duke përmendur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, çështjet e emërimit dhe shkarkimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë, si dhe ushtrimin e njëkohshëm të detyrës së deputetit dhe anëtarit të Qeverisë.
“Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj”, ka shkruar Hoti.
Ai ka përmendur edhe çështje të tjera që, sipas tij, përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve nga ana e institucioneve të vendit. /Lajmi.net/