Kurti komenton protestat në Shqipëri: Qeverisja nuk duhet t’i përkulet oligarkisë
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar protestat në Shqipëri, duke thënë se qeverisja nuk duhet t’u nënshtrohet oligarkëve dhe interesave të tyre ekonomike. Në një fjalim para bashkëpartiakëve të tij, Kurti ka thënë se zhvillimet në Shqipëri i përcjellin me shqetësim dhe dashuri, pasi, siç është shprehur, ajo është…
Lajme
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar protestat në Shqipëri, duke thënë se qeverisja nuk duhet t’u nënshtrohet oligarkëve dhe interesave të tyre ekonomike.
Në një fjalim para bashkëpartiakëve të tij, Kurti ka thënë se zhvillimet në Shqipëri i përcjellin me shqetësim dhe dashuri, pasi, siç është shprehur, ajo është pjesë e pandashme e kombit shqiptar.
Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të ndërtojnë institucione demokratike dhe drejtësi që nuk ndikohen nga fuqia e kapitalit.
“Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulet oligarkisë”, ka deklaruar Kurti.
Ai është shprehur i habitur me përpjekjet për ta lidhur LVV-në me protestat në Shqipëri, duke thënë se partia e tij tashmë është në pushtet dhe nuk organizon protesta.
“Ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo protestuese”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, ai ka shtuar se LVV-ja nuk i ka fshehur asnjëherë përfshirjet e saj në protesta dhe ka theksuar se nuk ka vepruar në mënyrë anonime.
Kreu i LVV-së ka kërkuar që, përveç identifikimit dhe ndëshkimit të personave përgjegjës për dhunën gjatë protestave, të shqyrtohen edhe shkaqet që çojnë në përplasje.
Sipas tij, duhet të kuptohen arsyet dhe rrethanat që i shndërrojnë pakënaqësitë politike në dhunë.
Kurti ka theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si rivale e Shqipërisë dhe se Prishtina i mbështet përparimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ekonomi dhe turizëm.
Ai ka thënë se dhuna dhe lëndimi i njerëzve gjatë protestave janë shqetësim për të gjithë./Lajmi.net/