“Arkitekti i Kryeqytetit” – Dy vite pa u intervistuar, Rama ftohet në Prokurori vetëm pas shkarkimit të Blerim Isufajt
Një zhvillim interesant ka dalë në dritë pas intervistimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në Prokurorinë Speciale, lidhur me rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”. Rama u intervistua sot në cilësinë e të pandehurit, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Intervistimi i tij erdhi pas një periudhe të gjatë që rasti kishte qëndruar…
Lajme
Një zhvillim interesant ka dalë në dritë pas intervistimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në Prokurorinë Speciale, lidhur me rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Rama u intervistua sot në cilësinë e të pandehurit, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Intervistimi i tij erdhi pas një periudhe të gjatë që rasti kishte qëndruar në Prokurori, pa u intervistuar vetë kryetari i Prishtinës.
Pas intervistimit, Rama ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të ofrojë sqarimet e tij.
“Po, edhe unë u thashë që unë kam kërkuar faktikisht vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera. Jemi totalisht transparentë, për këtë arsye edhe kam ardhur me diskutuar, me biseduar, përkundër faktit që disa, si kryeministri, mos të përmend emra, që nuk shkojnë, do të thonë ne jemi të gatshëm gjithmonë për bashkëpunim me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, ndërtimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është me e ditë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka thënë Rama.
Por, përveç zhvillimeve në hetim, vëmendje ka marrë edhe një detaj tjetër: Përparim Rama dhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, përfaqësohen nga i njëjti avokat, Artan Qerkini.
Qerkini ishte i pranishëm gjatë intervistimit të Ramës në Prokurorinë Speciale, ndërsa më herët kishte përfaqësuar edhe Isufajn në kontestimin e vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
“Z. Rama është intervistuar në lidhje me projektin ‘Arkitekti i Qytetit’ edhe pse dihet që në këtë rast kemi të bëjmë me politika publike që vlerësohen prej votuesve. Mirëpo, z. Rama ka shprehur gatishmërinë e tij që në rast se Prokuroria dyshon për aspekte të ndryshme të këtij projekti me i jep sqarimet e nevojshme në mënyrë që Prokuroria lidhur me këtë projekt me çdo gjë të shkojë sipas ligjit”, ka thënë avokati Qerkini.
Shkarkimi i Isufajt dhe intervistimi i Ramës
Më 2 tetor 2026, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi ta largojë Blerim Isufajn nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. KPK-ja e arsyetoi vendimin me keqmenaxhim, jokompetencë në ushtrimin e funksionit dhe mospërmbushje të standardeve të kërkuara të performancës. Isufaj, megjithatë, vazhdoi të punojë si prokuror në këtë institucion.
Pas shkarkimit, Isufaj e kontestoi vendimin përmes avokatit Artan Qerkini. Më 27 tetor, Gjykata Supreme e hodhi si të palejuar ankesën e tij, duke sqaruar se çështja mund të kontestohet përmes procedurës së konfliktit administrativ.
Vetëm tri ditë më vonë, më 30 tetor, Përparim Rama u paraqit në Prokurorinë Speciale, ku u intervistua në kuadër të hetimeve për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Prokuroria konfirmoi se intervistimi lidhej me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Projekti 12-milionësh që çoi Ramën në Prokurori
Rasti “Arkitekti i Kryeqytetit” lidhet me një kontratë të Komunës së Prishtinës, me vlerë prej 12 milionë eurosh, e hapur në korrik të vitit 2022.
Projekti ishte paraparë për themelimin e një shërbimi profesional të arkitekturës dhe planifikimit urban në kryeqytet.
Megjithatë, gjatë viteve janë ngritur pikëpyetje për procedurat e tenderimit, përfshirë çështjen e sigurimit të tenderit prej 12 mijë eurosh, shumë kjo që, sipas interpretimit të KRPP-së, ishte më e ulët se minimumi i përcaktuar me ligj. Po ashtu, janë raportuar edhe shqetësime lidhur me sigurinë e ekzekutimit të kontratës.
Pas intervistimit, Rama, përmes avokatit Qerkini, deklaroi se është i gatshëm të ofrojë të gjitha sqarimet e nevojshme dhe se, sipas tij, projekti është realizuar në përputhje me ligjin./Lajmi.net/