Kurti: Lojërat Mesdhetare 2030 do të shtrihen edhe në Pejë, Gjakovë, Prizren, Drenas e Skenderaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po vazhdojnë, ndërsa është riafirmuar se shtrirja e tyre do të mbetet ajo e paraparë në Librin e Kandidaturës. Në një postim, Kurti ka njoftuar se në takimin e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM)…

Lajme

30/10/2026 18:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po vazhdojnë, ndërsa është riafirmuar se shtrirja e tyre do të mbetet ajo e paraparë në Librin e Kandidaturës.

Në një postim, Kurti ka njoftuar se në takimin e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM) është diskutuar drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe hapat e mëtejmë drejt organizimit të këtij eventi sportiv.

Sipas tij, krahas Prishtinës, pjesë e organizimit do të jenë edhe Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi, Skenderaj dhe komunat e tjera të parapara në kandidaturën e Kosovës.

Kurti ka bërë të ditur se në rishikimin e Masterplanit do të përfshihen edhe investimet që janë duke u realizuar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Ndër projektet prioritare ku do të vazhdojë puna janë Qendra e Studentëve, e cila do të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.

Po ashtu, në takim është diskutuar edhe mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar, për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Lojërave.

Në fund, sipas Kurtit, është dakorduar që Komiteti Organizativ të paraqitet me një qëndrim të përbashkët në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare./Lajmi.net/