Kurti thotë se kemi “Drejtësinë e shtrembër” në ditët kur ndaj ish-ministrave e ministrave të tij iu pushuan hetimet nga Prokuroria Speciale

Ndryshime të mëdha pati në emrat që përfaqësojnë në përgjithësi sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ndryshime pati si në Këshill Prokurorial të Kosovës, ashtu edhe në Këshill Gjyqësorë të Kosovës. E ndryshimi më i madh natyrisht u bë në Prokurori Speciale, pasi KPK vendosi që të shkarkojë Blerim Isufajn nga drejtimi i Prokurorisë Speciale. Më…

Lajme

30/10/2026 18:48

Ndryshime të mëdha pati në emrat që përfaqësojnë në përgjithësi sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ndryshime pati si në Këshill Prokurorial të Kosovës, ashtu edhe në Këshill Gjyqësorë të Kosovës.

E ndryshimi më i madh natyrisht u bë në Prokurori Speciale, pasi KPK vendosi që të shkarkojë Blerim Isufajn nga drejtimi i Prokurorisë Speciale.

Më 20 nëntor 2025, KPK-ja e shkarkoi Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe caktoi Agron Qalajn në vend të tij. Qalaj ushtroi detyrën për një periudhë relativisht jo shumë të gjatë. Pas Agron Qalajt, me mandat të plotë në Këshill Prokurorial erdhi Arian Gashi, i cili u votua me votim të fshehtë dhe mori katër vota, dy më shumë se kundërkandidati i tij, Milot Krasniqi.

Me të marrë detyrën, KPK “e re” në udhëheqje mori një sërë vendimesh, e një ndër to ishte edhe shkarkimi nga detyra i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufajt, për siç tha, keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në përmbushjen e detyrave.

Shkarkimi i Isufajt, në një mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, u kritikua nga organizatat joqeveritare që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë në vend.

KPK tha se e mori këtë vendim “në mbështetje të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës… mbi bazën e rrethanave të konstatuara dhe të dokumentuara në procedurën përkatëse”.

Pas kësaj Dren Paca është emëruar ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në emërimin e një prokurori me mandat të plotë, thuhet në njoftim.

Shkarkimi i tij erdhi një muaj pasi KPK-ja nuk ia miratoi raportin e punës Prokurorisë Speciale për vitin 2025. Mbledhja ku raportoi Isufaj ishte tejet e ashpër dhe anëtarët e Komisionit ishin kritikuar për mënyrën se si i ishin qasur këtij të fundit. Isufaj ishte emëruar në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2023 dhe ky ishte mandati i tij i dytë katërvjeçar.

KPK nguli këmbë se shkarkimi i Isufajt nuk lidhet me ndikime apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së tij.

Ndryshimet në KPK e në Prokurori Speciale, sollën ndryshime edhe në rrjedhat e hetimeve.

Vetëm ditëve të fundit, ministra dhe ish-ministra të Qeverisë Kurti kanë njoftuar se Prokuroria Speciale i ka pushuar hetimet ndaj tyre.

Një ndër ta është edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i cili po hetohej për rastin e ambalazhuesve të ujit, ku në këtë rast dyshohej se iu shkaktuan dëme milionëshe shtetit.

Pas këtij vendimi, Liburn Aliu tha se është hetuar edhe pasuria e tij dhe familjes së tij, të cilat, thotë se i ka deklaruar që nga fillimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar që kam bërë përpjekje në jetë ta zbatoj me modesti. Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm”, shkroi Aliu.

Për pushimin e hetimeve ka njoftuar vetë Aliu, më 2 tetor.

“Ky proces hetimor ka filluar para dy vitesh dhe përgjatë tërë kohës është përcjellë me spekulime të shumta mediatike. Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot, edhe tani që kam marrë detyrën e re. Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar që kam bërë përpjekje në jetë ta zbatoj me modesti. Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm. Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën”, ka shkruar Aliu në rrjetin social Facebook.

Rasti i ambalazhuesve të ujit për Aliun ka përfunduar por, Prokuroria Speciale ka njoftuar se për të njëjtën çështje ka ngritur aktakuzë ndaj Naser Hafizit për tri vepra penale.Hafizi, po akuzohet tashmë si ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor (MMPH).Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Hafizi dyshohet për tri vepra penale: ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Hetimet përveç për Liburn Aliut janë ndërprerë edhe në një rast tjetër, atë të granteve prej 100 mijë euro, që dyshohej se Faton Peci atë kohë ministër i Bujqësisë, i kishte dhënë familjarëve të Fitore Pacollit.

Lajmin për pushimin e hetimeve e ka dhënë fillimisht vetë Faton Peci në një postim në Facebook, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale ka folur sepse grantet janë dhënë vetëm me meritokraci.

“Dy vjet të randa linçimi, baltosje e shpifje të ulta e të mbushura helm kundër meje e kundër asaj çfarë përfaqësoj, morën përgjigjen e duhur, të ditur dhe të pritur. Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat e sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme. Zyrtarët e LDK-së që e ngritën këtë kallëzim penal, por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballen me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm. Ndërsa ju, qytetarëve të shumtë nga gjithë Kosova e mërgata, fort ju falenderoj që keni besuar në mua, përkundër luftës speciale kundër meje. Ju siguroj se asgjë nuk mund ta njollosë punën time të ndershme si Ministër, në shërbim tuajin, në shërbim të Kosovës”, ka shkruar Peci.

Kurse lajmi u konfirmua edhe nga Prokuroria Speciale.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet ndaj F.P. dhe F.P., pasi gjatë zhvillimit të hetimeve nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale për të cilën kanë qenë nën hetim”, u tha në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.

Hetimet kanë pushuar edhe për ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacollin.

“Sot drejtësia fitoi! Prokuroria Speciale më ka njoftuar zyrtarisht pushimin e plotë të hetimeve ndaj meje për rastin e granteve në Ministrinë e Bujqësisë. Kjo e konfirmon atë që kam deklaruar që nga fillimi se nuk kam pasur asnjë ndikim apo ndërhyrje në ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë. Për këtë rast me muaj të tërë jam përballur me një fushatë të egër shpifjesh dhe sulmesh nga eksponentë të politikës e të medias. E vërteta triumfoi. I falënderoj të gjithë qytetarët që besuan në integritetin tim dhe më mbështetën në vazhdimësi”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshimet në udhëheqjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në Prokurorinë Speciale kanë nxitur debat mbi funksionimin dhe pavarësinë e sistemit prokurorial në vend. Shkarkimi i Blerim Isufajt u kundërshtua nga organizata që monitorojnë sistemin e drejtësisë, ndërsa KPK-ja insistoi se vendimi ishte marrë për arsye profesionale dhe jo për motive politike. Pavarësisht se u rreshtuan shumë prej aktakuzave që nga Prokuroria Speciale ishin ngritur nën drejtimin e Isufajt e që lidheshin me dyshime të mëdha për keqpërdorim, sipas KPK-së raporti i punës së Prokurorisë nuk ishte i duhuri.

Në anën tjetër, pushimi i hetimeve ndaj disa zyrtarëve të Qeverisë Kurti është bërë publik nga vetë ata, të cilët i kanë mirëpritur vendimet e Prokurorisë Speciale. Megjithatë, këto zhvillime kanë rikthyer vëmendjen te transparenca e vendimmarrjes dhe nevoja që institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të bazuar në prova, apo siç tha edhe vetë Kryeministri Albin Kurti, duket se në Kosovë s’kemi drejtësi, ose më mirë të thuhet “drejtësinë e kemi të shtrembër”.

“Drejtësinë nuk e kemi të drejtë. Përkundrazi, drejtësinë e kemi të shtrembër.

Ky deklarim i tij lidhej pikërisht mbi neglizhencën e shumë institucioneve mbi rastet e dhunës në familje, por që bindshëm mund të lidhen edhe me keqpërdorimet publike. /Lajmi.net/