“Po kërcënohej me vdekje, por prokurorja urdhëroi që Alberti të intervistohej si dëshmitarë” Detaje rreth veprimeve dhe mosveprimeve të Arlinda Nallbani Gacaferri

Këshilli Prokurorial të enjten i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferrin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor. Ndaj tyre u hap edhe procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit. Në arsyetimin e KPK-së thuhet…

Lajme

30/10/2026 12:08

Këshilli Prokurorial të enjten i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferrin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.

Ndaj tyre u hap edhe procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit.

Në arsyetimin e KPK-së thuhet se më datë 29 tetor, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi i ka paraqitur Këshillit Prokurorial kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Zv/kryeprokurores në Pejë, Arlinda Nallbani Gacaferri, pasi që me datë 29.10.2026 është vënë në dijeni për veprimet e Nallbani-Gacaferrit në bazë të raportit, i hartuar nga Koordinatori për Dhunë në familje.

Sipas arsyetimit, e njëjta duke vepruar si prokurore kujdestare, ishte informuar nga Policia e Kosovës se ishte shkelur vendimi i gjykatës për urdhër mbrojtje ndaj palës së mbrojtur tani e ndjera, Arlinda Zekaj, se në shtëpinë e saj ishin duke qëndruar edhe persona të tjerë, nëna e bashkëshortit të saj ndaj të cilit kishte urdhër mbrojtje si dhe vëllai, tani i pandehuri për vrasjen e së ndjerës, Albert Sylaj, me c’rast Njësiti i Hetimeve kishte kontraktuar prokuroren kujdestare, ku e njëjta kishte udhëzuar që të njëjtit të intervistohen dhe gjatë kësaj kohe, e dëmtuara tani e ndjera Arlinda Zekaj kishte deklaruar se kunati i saj, në një moment e kishte kanosur me fjalët “largomu, largomu se t’mys”, ku edhe përkundër këtij informacioni, prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferi kishte udhëzuar që Albert Sylaj të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke anashkaluar faktin e kanosjes direkte për privim nga jeta dhe duke mos vlerësuar rrezikshmërinë që po i kanosej direkt tani të ndjerës, raporton lajmi.net.

Gjithashtu thuhet se prokurorja kujdestar nuk ka vepruar edhe përkundër se e njëjta ka qenë e njoftuar në vazhdimësi për kërkesat urgjente të palës së dëmtuar, Arlinda Zekaj, informacione të cilat i kishte meqenëse e njëjta ushtron edhe pozitën e Koordinatores për Dhunë në Familje, ishte në dijeni për urgjencat e kërkesave të saj dhe me theks të veçantë që së njëjtës po i kanosej jeta, ishte në dijeni për të gjitha raportet nga prokurorët të cilët kanë trajtuar rastet ku e ndjera ka qenë palë e dëmtuar, ishte e njoftuar edhe me raportet zyrtare policore lidhur me nivelin e rrezikshmërisë të cilën i kanosej të ndjerës, A.Z, por Nallbani Gacaferri kishte dështuar në ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, duke mos marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara, seriozitetin e raportimeve kur ka vepruar si prokurore kujdestare me datë 22.10.2026.

“Autoritet kompetente ka vlerësuar po ashtu se e njëjta në mënyrë të vazhdueshme nuk ka ndërmarrë veprime prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, nuk ka marrë parasysh provat dhe faktet gjatë hetimit të krimit, nuk ka siguruar dëshmi dhe fakte gjatë hetimit që mblidhen në përputhje me ligjin dhe konkretisht nuk ka marrë parasysh kërkesën e të dëmtuarës për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, shkelje të cilat paraqesin bazë për inicim dhe hetimin e shkeljeve disiplinore”, thuhet tutje.

“Autoriteti Kompetent ka vlerësuar po ashtu se znj. Arlinda Nallbani Gacaferi në mënyrë të vazhdueshme nuk ka ndërmarrë veprime prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, nuk ka marrë parasysh provat dhe faktet gjatë hetimit të krimit, nuk ka siguruar dëshmi dhe fakte gjatë hetimit që mblidhen në përputhje me ligjin dhe konkretisht nuk ka marrë parasysh kërkesën e të dëmtuarës për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, shkelje të cilat paraqesin bazë për inicimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore. Gjithashtu, Autoriteti Kompetent ka vlerësuar se znj. Arlinda Nallbani Gacaferi, nuk ka vepruar në përputhje me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë, duke shkelur detyrimet për profesionalizëm, ngase Kodi i Etikës thekson se llogaridhënia dhe transparenca janë vlera themelore për prokurorin të cilat nënkuptojnë kryerjen e detyrave në nivel të lartë, profesional, të përgjegjshëm, transparent dhe efikas dhe se prokurori duhet të japë llogari për ushtrimin e funksionit dhe mënyrën e ushtrimit të tij, ka shkelur detyrimet për profesionalizëm, ashtu që nuk ka marrë parasysh rrethanat që janë për mbrojtjen e të drejtave ligjore të viktimave. Andaj, Autoriteti Kompetent, me datë 29 tetor 2026, sipas detyrës zyrtare i ka paraqitur Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj znj. Arlinda Nallbani Gacaferri, së bashku me rekomandimin për suspendimin e së njëjtës duke e konsideruar një gjë të tillë të nevojshme, marrë parasysh seriozitetin e shkeljes së supozuar disiplinore dhe të sigurohet integriteti dhe efektiviteti i hetimeve disiplinore”.

Rasti i Arlinda Zekaj ka dëshmuar për një neglizhencë institucionale duke filluar nga Policia , Prokuroria, gjyqësia e shumë institucione të tjera./Lajmi.net/