Biznesmenja anonime i del në ndihmë familjes Zekaj, ia paguan kredinë e mbetur Arlindës
Një biznesmene ka vendosur të ndihmojë familjen e Arlinda Zekajt, duke marrë përsipër pagesën e plotë të kredisë së mbetur që viktima kishte lënë pas vdekjes së saj. Lajmi u bë i ditur nga gazetari Ermal Panduri, gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku u raportua se kredia e Arlinda Zekajt kishte mbetur si…
Lajme
Një biznesmene ka vendosur të ndihmojë familjen e Arlinda Zekajt, duke marrë përsipër pagesën e plotë të kredisë së mbetur që viktima kishte lënë pas vdekjes së saj.
Lajmi u bë i ditur nga gazetari Ermal Panduri, gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku u raportua se kredia e Arlinda Zekajt kishte mbetur si detyrim financiar dhe se familjarët e saj kishin marrë njoftime nga banka lidhur me pagesën e saj, transmeton lajmi.net.
Sipas informacionit të bërë publik në emision, biznesmenja ka zgjedhur të mos e bëjë të ditur identitetin e saj, duke vendosur ta mbulojë tërësisht shumën e mbetur të kredisë, në mënyrë që familja të mos përballet më me këtë barrë financiare.
Ky gjest vjen në një periudhë të rëndë për familjen Zekaj, pas vrasjes së Arlindës, rast që ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe protesta me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Përveç dhimbjes për humbjen e familjarës së tyre, rrethanat e bëra publike lidhur me detyrimet financiare dhe njoftimet për pagesën e kredisë kanë shtuar vëmendjen ndaj vështirësive me të cilat mund të përballet familja pas kësaj tragjedie.
Vendimi i biznesmenes për të mbetur anonime e bën ndihmën e saj një gjest solidariteti, me të cilin synohet të lehtësohet të paktën një pjesë e barrës që familja po përjeton pas humbjes së Arlindës./lajmi.net/