Gjini: Pal Lekaj nuk ka asnjë funksion në Aleancë, duhet me pauzu – Murati dhe Basha le të dalin të tregojnë ku kanë shkuar 53 milionët, tek cila llogari
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kërkuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, që të japin sqarime për destinimin e 53 milionë eurove. I ftuar në një intervistë televizive, Gjini ka thënë se pas gjashtë vjetësh në pushtet, Qeveria duhet të tregojë…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kërkuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, që të japin sqarime për destinimin e 53 milionë eurove.
I ftuar në një intervistë televizive, Gjini ka thënë se pas gjashtë vjetësh në pushtet, Qeveria duhet të tregojë se ku kanë përfunduar këto mjete dhe në cilën llogari janë transferuar, transmeton lajmi.net.
“Ka mujt me dalë ministri i Financave me thanë që 53 milionët kanë shku në këtë llogari, edhe me tregu e kujt është ajo llogari. Nuk duan me u marrë me këtë temë”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka bërë edhe një krahasim me mënyrën se si është trajtuar publikisht rasti i Astrit Deharit, duke pretenduar se pushteti po shmanget nga dhënia e përgjigjeve për çështjen e 53 milionë eurove.
“Ma qojnë mallin si thirrje ‘Drejtësi për Astrit Deharin’. Nuk dojnë me tregu ku kanë shku ato pare. Ka mujt me dalë ministri i Financave me thanë që 53 milionë i kanë shku kësaj llogarie, edhe me tregu e kujt është ajo llogari. Nuk dojnë me u marrë me këtë temë”, është shprehur ai.
Gjini ka kritikuar gjithashtu, siç e ka cilësuar, qasjen e pushtetit ndaj rasteve që kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi, duke thënë se retorika politike nuk po shoqërohet me sqarime konkrete.
“Logjika është e njëjtë sikur ‘Drejtësi për Astritin’, edhe pse janë dy raste të ndryshme. E akuzojnë krejt botën për atë rast dhe, kur vjen në pushtet, edhe mostrat i zhdukin”, ka deklaruar kryetari i AAK-së.
Gjatë intervistës, Gjini është pyetur edhe për pozitën e Pal Lekajt brenda Aleancës, duke bërë të ditur se ai aktualisht nuk mban asnjë funksion në strukturat drejtuese të partisë.
Sipas Gjinit, Lekaj nuk është pjesë e Kryesisë dhe as e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ndërsa ka theksuar se nuk e ka përfshirë në Kryesi deri në zgjidhjen e rastit të tij.
“Pal Lekaj nuk ka asnjë funksion në Aleancë. Duhet me pauzu, nuk e kam vendosë në Kryesi deri sa të zgjidhet rasti. Nuk është as në Kryesi, as në Këshill të Përgjithshëm”, ka thënë Gjini.
Ai ka shtuar se Lekaj nuk ka qenë as në listën e kandidatëve të partisë për deputetë.
“Unë po ju tregoj sonte që Pal Lekaj nuk ka kurrfarë detyre në Aleancë, as nuk ka qenë në listë për deputet”, ka përfunduar Gjini./lajmi.net/