Limaj për vrasjen e Arlinda Zekajt: Diçka ka dështuar në sistem, policia duhej të kërkonte ndihmën e psikologut

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar vrasjen e Arlinda Zekajt, duke vënë në pikëpyetje reagimin e institucioneve dhe mënyrën se si trajtohen rastet e përsëritura të dhunës në familje. I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Limaj ka thënë se rasti i Arlindës dëshmon se diçka ka dështuar në sistem, ndërsa ka ngritur…

Lajme

29/10/2026 21:59

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar vrasjen e Arlinda Zekajt, duke vënë në pikëpyetje reagimin e institucioneve dhe mënyrën se si trajtohen rastet e përsëritura të dhunës në familje.

I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Limaj ka thënë se rasti i Arlindës dëshmon se diçka ka dështuar në sistem, ndërsa ka ngritur çështjen e përfshirjes së psikologëve kur viktimat kërkojnë ndihmë disa herë në polici, transmeton lajmi.net.

“Ku janë qendrat tona sociale, a ka psikologë? Në stacionin e policisë lajmërohet 2-3 herë për dhunën, a ka psikologë që e ka policia obligim me thirrë psikologun?”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka vënë theksin te nevoja për një qasje më të koordinuar ndërmjet policisë dhe shërbimeve sociale, veçanërisht në rastet kur raportimet e përsëritura mund të tregojnë për rrezik të shtuar ndaj viktimave.

Rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale. Sipas gjetjeve preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës, urdhri mbrojtës i lëshuar më 16 tetor ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, ndërsa një kërkesë e një hetuesi për vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë nuk ishte trajtuar nga zinxhiri komandues.

Për rastin janë suspenduar 11 zyrtarë policorë në Pejë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar edhe kryeprokuroren e Pejës dhe prokuroren që ishte marrë me rastin. Hetimet dhe procedurat përkatëse synojnë të sqarojnë përgjegjësitë individuale dhe institucionale./lajmi.net/